Ylli i Manchester Cityt, Raheem Sterling, ia ka shkruar një letër emocionale një tifozi të tij, i cili ra viktimë e racizmit. Në këtë letër, anglezi rrëfen për situatat e ngjashme që ai i ka përjetuar në jetën e tij.

Anglezi ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave gjatë kohës së fundit për shkak të incidenteve raciste me të cilat është përballur ai gjatë kohës se fundit, si incidenti me një tifoz të Chelseat në Stamford Bridge, transmeton Gazeta Express.

Ai ka vazhduar të flasë kundër këtyre pikëpamjeve raciste, duke u ofruar ndihmë njerëzve që përjetuan situata të ngjashme me të. Për këtë arsye, 24-vjeçari i ka shkruar një letër një tifozi të tij, Ethan Ross, pasi gjyshja e këtij të fundit i kishte treguar Sterlingut për abuzimin në baza racore që e kishte përjetuar nipi i saj.

“I dashur Ethan. Së fundi kam marrë vesh nga gjyshja jote e dashur, Nanna Sue, për këtë periudhë të vështirë nëpër të cilën po kalon tani, për shkak të abuzimit në baza racore”, ka shkruar Sterlingu, i cili ia dërgoi Rossit edhe një fotografi me autografin e tij.

“Mbaje mend të ngrihesh në këmbë dhe të jesh krenar për atë që je dhe mos i lejo ata që të ta largojnë vullnetin. Ti je i fortë dhe i guximshëm dhe gjyshja jote është krenare me ty. Vazhdo të jesh ai që je, djalosh”.

“Mbaje mend se ta ngresh zërin nuk ta bën gjithmonë jetën më të lehtë, por gjërat e lehta nuk kanë ndryshuar asnjëherë asgjë. Me respektin më të madh, Raheem Sterling”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, sulmuesi anglez i Manchester Cityt i kishte kritikuar gazetat duke thënë se mënyra se si raportohet për të bën që ai të portretizohet në një dritë të keqe si një i ri me ngjyrë dhe kjo gjë, sipas tij, e nxit racizmin.

Sterlingu e kishte blerë këtë shtëpi për nënën e tij, ngjashëm me bashkëlojtarin e tij, Phil Fodeni. Por, përkundër Sterlingut, Fodeni, i cili i përket racës së bardhë, është lavdëruar për këtë gjest nga mediat.

Sipas Sterlingut, ky titull e portretizon atë në një dritë të keqe, duke i lënë mënjanë gjërat e mira që ai i bën. Anglezi e ka quajtur këtë gjë të papranueshme dhe ka kërkuar që gazetat t’u japin të gjithëve mundësi të barabarta, pa marrë parasysh racën.

“Unë vetëm dua të them, nuk jam zakonisht lloji i njerëzve që flas shumë, por kur mendoj se kam diçka që duhet të dëgjohet atëherë flas. Sa i përket asaj që është thënë dje gjatë ndeshjes kundër Chelseat, ju mund ta shihni nga reagimi im se vetëm qesha pasi që nuk prita një trajtim më të mirë”, shkruan Sterling në Instagram.

“Për shembull, ju i keni dy lojtarë të ri [Sterling dhe Foden] të cilët e kanë filluar karrierën e tyre dhe që të dy luajnë në të njëjtin ekip. Që të dy kanë bërë diçka të mirë, ia kanë blerë nga një shtëpi nënave të tyre, pasi që ato me shumë dashuri i kanë sjellë ata aty ku sot janë”.

“Por, shikoni se si e transmetojnë këtë mesazh për një lojtar të ri me ngjyrë dhe pastaj si e bëjnë për një lojtar të bardhë. Mendoj se kjo gjë është e papranueshme, mënyra se si është formuluar”.

“Ky djalosh i ri me ngjyrë shikohet në një dritë të keqe dhe kjo gjë e nxit racizmit me sjellje agresive, kështu që për të gjitha gazetat që nuk e kuptojnë pse njerëzit janë racistë, e gjitha që duhet të them është se duhet të mendoni për herë të dytë për raportimin e drejtë dhe t’i ofroni të gjithëve mundësi të barabarta”.