Në momentin kur pritet miratimi final i ndryshimeve kushtetuese, në kushte të protestave të tensionuara përpara Kuvendit, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovksi sot nga Radovishi në mënyrë të drejtpërdrejtë iu përgjigj pyetjes nëse është e mundur që të eskalojë situata sikur më 27 prill të vitit 2017, kur protestuesit u futën në Kuvend dhe rrahën të deputetë, gazetarë, të punësuar dhe demoluan gjithçka që gjetën përpara syve, njofton Portalb.mk.

“Duhet që ta dijë opinioni në Maqedoni se 27 prilli nuk do të përsëritet. Qytetarët duhet që të jenë të sigurt, institucionet funksionojnë çdo ditë dhe pa dallim nëse është anëtar i ndonjë partie, ose nëse është qytetar që ka qëllim që të marrë pjesë në ndonjë rast të prishjes së rendit kushtetues, dërgoj porosi të të gjithë ata që kanë qëllime të tilla të heqin dorë, pasi që jemi fuqishëm të vendosur në ruajtjen e rendit dhe sistemit”, theksoi Spasovksi.

Ministri u pyet që ta komentojë deklaratën e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se në protestat përpara Kuvendit ka policë – provokues, gjatë së cilës i ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e provokimeve të tilla.

“Ka policë, që e kryejnë punën e tyre, të cilët e mbrojnë rendin publik dhe të cilët e garantojnë sigurinë e qytetarëve. Është e neveritshme që një lider i partisë t’i nënvlerësojë zyrtarët policorë që punojnë për sigurinë e të gjithëve, por edhe për sigurinë e tij”, theksoi Spasovski.

Ai sqaroi se Mickoski shkon në protestë me sigurim policor personal.

“Në fakt ai si lider i VMRO-DPMNE-së ka sigurim policor, të cilin e ka kërkuar që ta mbrojnë dhe tani dëgjojmë kualifikime të tilla. Mendoj se është skajshmërisht jo-korrekte ose e pafytyrë që gjendjet t’i vlerësojë ashtu”, shtoi ministri.

Në pyetjen nëse ndryshimet kushtetuese do të kalojnë dhe paralajmërimin e kryeministrit Zoran Zaev për përgjegjësinë e tij me dorëheqje, Spasovski tha se është optimist.

“Unë e di se do të kemi sukses në atë betejë, pasi që është shumë e rëndësishme për Maqedoninë dhe do të vazhdojmë fuqishëm edhe më tej në zhvillimin e shtetit”, deklaroi Spasovski, i cili shtoi se është i sigurt se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet në Kuvendin e Greqisë.

 

Loading...