Një shpërthim i madh ka ndodhur sonte në mbrëmje në një lokal në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës tha se sonte rreth orës 18:55 në fshatin Ratkoc në një lokal (qebaptore) “Te Dollari” ka ndodhur një shpërthim që dyshohet të jetë nga bombola e gazit.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj, tha se të 9 të lënduarit janë duke u mbajtur në trajtim mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për  jetë.

“Nga ky shpërthim dyshohet se janë lënduar disa persona (rreth 10 persona të cilët janë dërguar në spitalin rajonal në Gjakovë). Patrullat policore menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes, kanë bërë sigurimin e vendit. Mbi gjendjen e personave të lënduar ende nuk kemi informata te hollësishme”, tha Lirije Podrimaj, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Gjakovës.