Mbrëmë pas orës 1 të mesnatës, Shkupi ishte qyteti më i ndotur në botë, ndërsa pas Shkupit vinin qytete nga India, Pakistani dhe Bangladeshi. Në vendin e gjashtë në listën e qyteteve më të ndotura ishte Prishtina.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme Shkupi, sipas airvisual, ka ra në vendin e 15-të në listën e qyteteve me ajër të ndotur, njofton Telegrafi Maqedoni.

Stacionet matëse të ajrit, krahas Shkupit, gjatë ditës së sotme tregojnë shifra enorme të ndotjes së ajrit edhe në qytetet tjera siç janë Strumica, Manastiri, Tetova, Gostivari dhe Kumanovë.

Ndotja e ajrit ka qenë problem për Maqedoninë viteve të kaluara ndërsa vjet qyteti i Shkupit disa herë ishte qyteti më i ndotur në Evropë dhe në mesin e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë.

Opozita maqedonase e akuzon pushtetin se nuk po ndërmerr asgjë në zgjidhjen e problemit të ajrit ndërsa nga Qeveria e Maqedonisë problemin e ajrit të ndotur e vendosi te prioritet e Qeverisë për vitin 2019 duke ndarë 98 milion denarë shtesë për këtë problem.