Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, ka parashikuar se Xherdan Shaqiri do të luajë qysh nga minuta e parë në ndeshjen e radhës të Liverpoolit, kur do ta arrinte paraqitjen e 18-të për këtë sezon të Premierligës.

Liverpooli do ta presë Crystal Palace në shtëpi, në stadiumin Anfield, të shtunën në orën 16:00. Në këtë ndeshje, të vlefshme për xhiron e 23-të të Premierligës, pritet që Shaqiri të jetë titullar, transmeton Gazeta Express.

Pasi që pas kësaj ndeshje, Liverpooli do t’i ketë 11 ditë pushim, Jurgen Klopp nuk do të ketë nevojë për t’i pushuar lojtarët kryesorë të skuadrës së tij. Madje, pasi që Liverpooli nuk ka qenë shumë mbresëlënës gjatë ndeshjeve të fundit, Klopp do të kërkojë nga skuadra e tij t’i kthehet formës së vjetër.