Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela sot ka pritur në takim përfaqësuesit e Lëvizjes Anti-Bixhoz për të diskutuar në lidhje me propozim-ligjin për lojërat e fatit. Pas takimit, Sela tha se ata pajtohen me kërkesat Lëvizjes antibixhoz, ndërsa janë duke punuar edhe në propozimin e tyre  për Ligjin e diskutuar. “Është e rëndësishme që të theksohet se për ne si Aleancë për Shqiptarët kur themi institucion, nuk i referohemi vetëm shkollave, objekteve fetare ose shtetërore, por për ne institucioni më i rëndësishëm është familja. Prandaj, pjesë e zgjidhjes me rregullativë ligjore të kësaj problematike do të jetë distancimi i këtyre lojërave nga shtëpitë e qytetarëve, sepse vetëm në këtë formë mund të arrijmë në një zgjidhje të mirë e cila do ta minimizojë këtë problematikë”, ka deklaruar kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.