Gjithsej 19.137 shkelje në komunikacion janë zbuluar nga policia gjatë vitit të kaluar në rajonin e Tetovës, informojnë nga SPB Tetovë. Sipas të dhënave policore ky numër është për rreth 300 më shumë në krahasim me vitin 2017.

Prej atje kanë theksuar se për shkak të llojeve të ndryshme të shkeljeve në komunikacion janë përjashtuar 1.353 automjete dhe 2.630 vozitës. Numër më i madh i veturave të përjashtuara apo 968 kanë pasur regjistrim të skaduar mbi 30 ditë si dhe parregullsi teknike në 238 raste. Te vozitësit e përjashtuar, 1.367 kanë drejtuar automjetin pa patentë shoferi dhe leje valide, ndërsa 952 vozitës- fillestarë nuk u janë përmbajtur kufizimeve të parapara ligjore.

Këto shkelje në komunikacion vitin e kaluar janë rrumbullakuar me rreth 10 mijë obligime dhe rreth gjashtë mijë urdhra për kundërvajtje. Krahas kësaj përkohësisht janë marrë 802 patentë dhe 566 leje qarkullimi dhe 170 tabela regjistrimi.

Njëherësh, nga ana e ekipeve profesionale të SPB Tetovë gjatë vitit të kaluar janë zbatuar 12 këshilla në komunikacion me karakter preventiv- rekomandues për ngritjen e nivelit të vetëdijes në komunikacion dhe kulturë edhe tek këmbësorët dhe vozitësit- kundërvajtës.