Një tjetër fenomen shqetësues që konsumohet në rrjetet sociale apo faqe të ndryshme është pornografia “online”.

Nga viti 2012 deri në vitin 2018 janë regjistruar në total 61 raste të kësaj vepre, shumica e të cilave janë zbuluar nga strukturat partnere si Europol dhe Interpol.

Në jo pak prej këtyre rasteve është konstatuar se viktimat kanë qenë edhe të mitur, që janë mashtruar duke rënë pre’ në rrjetën e keqbërësve.

“Në Shqipëri rastet kanë qenë shumë të kufizuara, por problem kryesor në Shqipëri është konsumimi i këtyre materialeve. Ndoshta dhe këtu nuk është raporti i duhur i konstatimeve të rasteve për aq sa realisht ekzistojnë”, tha Elton Kërluku.

“Vështërsia më e madhe e jona ka të bëjë me faktin që ne mund të heqim materiale të cilat janë materiale abuzive ndaj fëmijëve, por problem është që është shumë e vështirë të identifikojmë persona që ngarkojnë materiale të tilla”, tha Mergit Vataj, drejtor i “Alo 116”.

Shpesh, viktimat e krimit “online” mbeten peng nga shantazhet e vazhdueshme. Ajo që vihet re është rritja e rasteve të pornografisë me viktima të mitur.

“Vetëm gjatë kësaj periudhe janë tre raste pornografike të cilat janë raportuar”, tha Mergit Vataj, drejtor i “Alo 116”.

“Nuk kemi patur ndonjë raportim lidhur me një faqe elektronike që përmban përmbajtje pornografike me fëmijët, gjithsesi si fenomen nuk e mohoj dot”, tha Jorko Çipa, AKEP.

Në redaksinë e Top Story kanë mbërritur dy video të postuara në Youtube ku përdoren fyerje nga më të rëndat dhe ofendime banale për dy adoleshente.

Siç shihet, edhe pse ato janë referuar në prokurori prej disa kohësh, ende janë “online”. Teksa shteti rreket për të gjetur abuzuesit, viktimat vuajnë ende pasojat.