Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka shprehur besimin se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mund të bien dakort për mënyrën se si të mbrojnë rebelët kurdë në Siri, pas tërheqjes së trupave amerikane.

Agjensia e lajmeve Associated Press njoftoi se Pompeo ka biseduar me Ministrin e Jashtëm turk dhe thotë se një marrëveshje e mundshme është duke u negociuar.

Pompeo tha se arritja e një mirëkuptimi do t’i mundësonte Turqisë të mbronte veten dhe ndërkohë do të linte të qetë kurdët që nuk përbëjnë kërcënim për të.

Pompeo gjithashtu është optimist se kurdët që luftuan përkrah forcave amerikane kundër Shtetit Islamik në Siri, nuk do të braktisen.

Turqia i konsideron shumë prej grupeve kurde të Sirisë si terroristë dhe është zotuar t’i sulmojë.

Këto kërcënime janë shtuar ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë filluar tërheqjen nga Siria, bazuar në urdhrat e Presidentit Donald Trump.

Loading...