Kancelarja Angela Merkel viziton Athinën. Ndryshe nga vizita e saj e fundit në 2014, mikpritësit janë me humor të mirë. Megjithatë ka një pikë mosmarrëveshjeje që shkakton ende tension.

Kriza e borxheve i pat rënduar marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Greqisë: Si politikan i opozitës, Aleksis Cipras ankohej me të madhe, para se të merrte postin e kryeministrit (2015), kundër “diktatit të Berlinit për kursime”, ndërsa politikanët gjermanë tërthorazi u thoshin grekëve të dilnin nga zona e euros. Por që atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar: brenda një kohe rekord Ciprasi, si kreu i qeverisë, u bë realist, i zbatoi të gjitha masat e shkurtimit të buxhetit dhe bashkëpunoi në përballimin e krizës së refugjatëve në Evropën Jugore.

Kjo është arsyeja pse udhëtimi i Angela Merkelit në Athinë shihet si shenjë pozitive, thotë Jorgos Xogopulos, lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Trakës. “Kjo vizitë sinjalizon mbështetje nga Berlini për zbatimin e reformave ekonomike në Greqi,” thotë Xogopulos në një intervistë me DW. Duket se kancelarja sheh te Ciprasi një politikan që nxjerr mësime nga gabimet e tij.

Katër vjet më parë, Tsiprasit  “iu desh të pranonte një kompromis poshtërues”, thotë Tassos Papas, gazetar për çështje politike dhe autor editorialesh për gazetën e majtë “Editors”. “Por, me kalimin e kohës, ai arriti të pavarësohej ca nga donatorët”. Si shembull, ai përmend vendimin e Kryeministrit për të anuluar shkurtimet e pensioneve për vitin 2019 që ishte bërë me udhëzim të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Edhe paralajmërimi i Cipras-it për rritjen e pagës minimale dhe lejimin e fillimit të negociatave tarifore duket se është pritur me dashamirësi. Përfundimi i gazetarit Papas: Madje tani as donatorët nuk janë më përfaqësues të doktrinës së masave shtrënguese.

Shqetësim për emrin e ri të Maqedonisë

Shumë më e rëndësishme se reforma ekonomike është kompromisi i fundit për emrin e Maqedonisë, thotë Papas. Sa për kujtesë: Në verën e vitit 2018, Greqia dhe Maqedonia ranë dakord ta zgjidhin  mosmarrëveshjen e tyre të gjatë për emrin, në të ashtuquajturën Marrëveshje të Prespës, ku u vendos që fqinji verior i Greqisë të quhet  “Maqedonia e Veriut”.

Javën e kaluar, një nga zëdhënëset e qeverisë gjermane, Martina Fietz, tha në Berlin se qeveria gjermane e përshëndet marrëveshjen, por pranoi edhe se miratimi i Parlamentit grek nuk është ende i sigurt, edhe pse për të do të mjaftonte një shumicë e thjeshtë prej 151 nga 300 vota gjithsej. Partia qeverisëse Syriza ka vetëm 145 vende dhe nuk mund ta zbatojë marrëveshjen pa ndihmë. Partia populiste e krahut të djathtë ANEL, e cila i shërben Ciprasit si një partnere e vogël dhe plotësuese e shumicës, e kundërshton marrëveshjen e emrit dhe ka paralajmëruar se do të largohet nga qeveria nëse marrëveshja zbatohet. Çfarë duhet bërë?