Porto sapo e ka transferuar Pepen dhe qendërmbrojtësi është i emocionuar për kthimin te ish-klubi i tij, ku ai pretendon se ishte përgatitur për t’i bërë ballë sfidës së të qenit qendërmbrojtës në një klub si Real Madridi.

Portugezi u transferua në Real Madrid në vitin 2007, në një kohë kur qendërmbrojtësit e “Los Blancos” nuk kishin aspak fat të mirë. Mirëpo, ai arriti ta zë një vend në formacionin e parë dhe qëndroi aty për një dekadë, transmeton Gazeta Express.

“Për të gjithë lojtarët të cilët transferoheshin në Real Madrid në atë kohë, veçanërisht për të gjithë qendërmbrojtësit, ishte sikur një varrezë për qendërmbrojtës”, ka thënë Pepe për faqen zyrtare të Portos.

“Asnjëri prej tyre nuk arrinte ta siguronte vendin në formacionin e parë. Por, Porto më kishte përgatitur për këtë sfidë dhe unë qëndrova aty për dhjetë vjet. Kishte shumë qendërmbrojtës të cilët transferoheshin, emra të mëdhenj, mirëpo ata nuk e arritën atë që e bëra unë”.

Kthimi në Porto bën që Pepe të ribashkohet me ish-bashkëlojtarin e tij në Real Madrid, portierin Iker Casillas. Pepe ka bërë të ditur se kjo gjë ka pasur një lloj ndikimi te vendimi që e mori ai.

“Jam shumë i lumtur, kjo gjë mund ta ketë ndikuar vendimin tim. Kur unë erdha këtu, e pyeta atë nëse ai fliste portugalisht, njëjtë siç më kishte pyetur ai mua nëse flisja spanjisht kur shkova në Real Madrid”, është shprehur Pepe.

“Ai më tha se e kupton, por ende ka turp të flasë. I thashë atij se ai e flet më mirë portugalishten sesa që e flisja unë spanjishten”