sh-mbrojtësi i krahut të majtë të Atletico Madridit, Mariano Pernia, e ka kujtuar një ndeshje të tij kundër Lionel Messit në Calderon dhe ka zbuluar se pasi argjentinasi e kishte shkatërruar atë në ndeshje, gruaja e tij e kishte pyetur: “Çfarë të ka bërë Messi”.

Çdo lojtar ka ndonjë moment në karrierën e tyre që do të dëshironte ta harronte. Lionel Messi u ka shkaktuar momente të tillë shumë mbrojtësve të ekipeve kundërshtare dhe njëri ndër ta është edhe ish-mbrojtësi i Atletico Madridit, Pernia, transmeton Gazeta Express.

Pernia, i cili u pensionua nga karriera e tij si futbollist profesionist në vitin 2011, e ka kujtuar njërën ndër ndeshjet kundër Messit në Calderon, duke treguar se ai kishte mbetur i mahnitur nga aftësia e argjentinasit.

 

“Po, unë jam përballur me Messin, fatkeqësisht. Më e keqja e gjithë kësaj është se ne ishim duke humbur me rezultat 3-1 dhe ai e mori topin afër vijës së mesit të fushës. Dhe ai thjesht u ndal, u ndal plotësisht, me topin në këmbën e tij”, ka thënë Pernia.

“Unë isha vetëm rreth gjashtë metra larg tij dhe mendova me vete: ‘Ah, tani do t’ia tregoj qejfin’. Kështu që iu afrova atij. Nuk e di se çfarë bëri pastaj. Sidoqoftë, pas ndeshjes, kur u ktheva në shtëpi, gruaja ime më pyeti: ‘Çfarë të ka bërë ai?’ dhe unë i thashë se nuk e dija dhe e pyeta se çfarë kishte parë në televizion”.

“Të gjithë thonë se Messi gjithmonë niset drejt fushës kur e fillon vrapin, kështu që unë shkova ta bllokojë atë dhe sa hap e mbyll sytë, ai kishte kaluar në anën tjetër të fushës. Nuk e di se si e bërë këtë gjë, s’ia kam idenë”.

“Për mua ishte sikur ai t’i kishte përdorur të gjitha rrengjet me një lëvizje të vetme. Ai më kaloi mua dhe pastaj i kaloi edhe dy lojtarë të tjerë. Nuk e di se si e goditi shtyllën e portës, fatmirësisht”.