Ndryshimet kushtetuese dhe një herë vunë në sprovë partitë politike dhe përcaktimin e tyre pro ose kundër integrimit në NATO dhe BE.

Profesori universitar, Bashkim Selmani, konsideron se partitë shqiptare edhe një herë dëshmuan përcaktimin e tyre pro vlerave perëndimore, ndërkaq mungesa e unitetit politik për të folur njëzëri për kërkesat e shqiptarëve është një shans i humbur për vetë shqiptarët.

“Shqiptarët edhe kësaj radhe nuk dolën të bashkuar dhe kjo identifikon një privatësi të mendimit shqiptar që çdo njëri ka bërë përpjekje për ndonjë ndryshim në mënyrë individuale dhe në fund të sillen si përfitues të asaj çështje. Kjo tregoi që shqiptarët nuk arritën të bashkohen dhe siç nuk arritën të bashkohen, ashtu do t’i lënë pasojat edhe në kushtetutën e radhës ose kushtetutën aktuale”,- u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.
Sipas Selmanit, meqë Marrëveshja e Ohrit nuk u shndërrua në njërën nga katër postulatet e Kushtetutës, në aspektin kushtetues shqiptarët nuk kanë përfituar asgjë, por u është shtuar edhe një problematikë tjetër, për arsye se gjuha shqipe edhe po të dekretohet, ajo nuk do të jetë gjuhë zyrtare edhe në komunikimin me NATO-n dhe BE-në dhe pjesa tjetër e ndryshimeve kushtetuese ka pasur vetëm zëvendësim të fjalëve të cilat janë në kllapa, të cilat nuk gjenerojnë mundësi për ndryshime të radhës, për ripozicionimin e shqiptarëve në RM. Benefitet më të mëdha nga ndryshimet kushtetuese pritet të jenë në aspektin e integrimit në NATO dhe BE, në atë të sigurisë dhe në aspektin ekonomik që do të mundësojnë mirëqenie ekonomike për të gjithë qytetarët.

Një ditë më parë, kryeministri Zaev deklaroi se ka arritur marrëveshje me ASh-në për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese, në ndërkohë vazhdojnë bisedimet edhe me Besën e Kasamit për kërkesat e tyre. (TVM2)