Ministritë e jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë kanë reaguar ndaj qëndrimeve negative të Ministrisë së Jashtme të Rusisë për Marrëveshjen e Prespës dhe zbatimin e saj. Ministria e Jashtme e Maqedonisë vlerëson se marrëveshja e Prespës nuk e prekë asnjë palë të tretë, e aq më pak Federatën Ruse.
“Ministria e Punëve të Jashtme me keqardhje konstaton se Departamenti për informim në Ministrinë e Jashtme të Federatës Ruse, përsëri, në kontest negativ, apostrofon procese autentike politike mes dy shteteve, të cilat shkojnë drejt zgjidhjes së problemeve, përforcimin e besimit dhe ndërtimin e miqësisë”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë. Edhe Ministria e Jashtme greke ka kërkuar nga Rusia që të qëndrojë larg politikave të brendshme dhe të respektojë marrëveshjen e Prespës.
“Ne shprehim bindjen se Rusia, e cila për vite me radhë e ka njohur IRJM-në si “Republika e Maqedonisë”, do të respektojë sensibilitetin e popullit grek në përdorimin e emrit Maqedoni dhe do t’i referohet tani këtij vendi me emrin e ri kushtetues, Maqedonia e Veriut, dhe më e rëndësishmja është që të përmbahen nga qëndrimet e tilla, sepse një gjë e tillë përbën ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Reagimet e ministrive në Shkup dhe Athinë vijnë pas qëndrimit të Ministrisë së Jashtme të Rusisë kundër Marrëveshjes së Prespës, ku vlerësohet se ajo është miratuar kundër vullnetit të dy popujve, maqedonasve dhe grekëve, me këmbënguljen e Evropës dhe ShBA-ve.