Marrëveshja e Prespës pritet të jetë të hënën para deputetëve grek për ratifikim. Këtë e ka bërë të ditur kryeparlamentari, Nikos Vicus, i cili tha se marrëveshja të premten do të hyjë në procedurë parlamentare, ndërsa të hënën do të votohet.

Ndërkohë, mbrëmë, me 151 vota për dhe 148 kundër, qeveria e kryeminstrit Tsipras ka marrë votëbesimin, pas largimit nga kabineti të Panos Kammenos, kreut të partisë aleate në qeveri “Grekët e pavarur”. Përveç 145 deputetëve të partisë në pushtet, “Syriza”, kanë votuar pro edhe 6 deputetë të pavarur. Para votimit, Cipras gjatë fjalimit të tij, njoftoi deputetët se Greqia kishte marrë Notë verbale nga MPJ e Maqedonisë në të cilën kumtohet se janë përmbushur detyrimet në bazë të Marrëveshjes së Prespës. Shkrimin prej gjashtë faqeve, kryeministri grek ia dorëzoi mbrëmë Kuvendit dhe deputetëve, ndërsa  në të kërkohet shfuqizimi i marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995.

Nota verbale
“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë e njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë se më 20 qershor Marrëveshja e Prespës ishte ratifikuar në kuvend, ndërsa më 11 janar të vitit 2019 se “në bazë të Nenit 1 (3) (e), Neni 1 (4) (d). Neni 1 (11) dhe Neni 1 (12) të Marrëveshjes, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e miratoi Vendimin për shpalljen e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV, XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe Vendimin për shpalljen e ligjit kushtetues për zbatimin e amendamenteve nga XXXIII deri në amendamentin XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”.

Dokumenti po ashtu, përmban edhe vendimet për amendamentet kushtetuese, njëjtë siç ishin publikuar më 12 janar në Gazetën Zyrtare.

Cipras para deputetëve grek tha se dokumenti në fjalë  sqaron çështjen e nënshtetësisë dhe të gjuhës maqedonase, që i përket grupit të gjuhëve sllave dhe ka kritikuar “Demokracinë e Re” që i mashtron grekët, duke i konsideruar këto dy pika problematike. Ai ka shtuar se tashmë, edhe në bazë të këtij dokumenti zyrtar nuk ka asnjë argument që të mos votohet marrëveshja e Prespës./SHENJA/