Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ka deklaruar se Marrëveshja e Prespës, e arritur për të zgjidhur mosmarrëveshjen rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, është “shumë e madhe për dështuar”. Dimitrov gjatë vizitës së tij zyrtare në Turqi, ka deklaruar për agjencinë Anadolu se qeveria e kryeministrit grek, Alexis Tsipras, së fundmi i mbijetoi votëbesimit nga parlamenti dhe pret që së shpejti marrëveshja të ratifikohet në Parlamentin grek. Më pas, ka shtuar ai, në Parlamentin grek do të votohet protokolli i pranimit për Maqedoninë për t’u bashkuar me NATO-n dhe me atë ratifikim procesi do të finalizohet. Duke e quajtur këtë proces historik, Dimitrov tha se, “Maqedonia ka humbur një gjeneratë që priste për shkak të çështje së emrit”.

NIKOLLA DIMITROV, MINISTËR I JASHTËM I MAQEDONISË

“Maqedonia është një vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2005. Pas Turqisë, ne jemi vendi më me përvojë në pritje (për anëtarësim në BE). Pas përfundimit të procesit të ratifikimit në Greqi, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të jetë më i shpejtë se anëtarësimi i vendit në BE. Formalisht, kjo do të bëhet (anëtarësimi në NATO), varësisht ecurive të proceseve në parlamentet e ndryshme, ndoshta në fillim të vitit të ardhshëm. Por në realitet, ne do të jemi në tryezë shumë shpejt, ndoshta edhe në muajin shkurt apo mars të këtij viti”.

Gjatë kësaj interviste, Dimitrov foli edhe rreth marrëdhënieve turko-maqedonase, duke theksuar se Turqia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Maqedonisë dhe se për këtë arsye këto dy vende ndajnë një marrëdhënie të veçantë. Ndërsa, në takimin me homologun turk, Mevlut Çavushoglu, kryediplomati i Maqedonisë tha se kanë diskutuar mënyrat e përmirësimit marrëdhëniet ekonomike, duke shtuar se ai synon 1 miliardë dollarë në tregtinë dypalëshe.

NIKOLLA DIMITROV, MINISTËR I JASHTËM I MAQEDONISË

“Me kryediplomatin turk po ashtu kemi diskutuar çështjen e refugjatëve, stabilitetin e Ballkanit dhe luftën kundër terrorizmit. Maqedonia është “plotësisht e vetëdijshme” për luftën e Turqisë me Organizatën Terroriste Fetullah (FETO). Si një mik, nëse ekziston një problem i madh për Turqinë, po ashtu është një problem edhe për ne”.

Lidhur me një shkëmbim të mundshëm të tokës midis Kosovës dhe Serbisë, ai tha se në Evropën e bashkuar kufijtë në thelb janë të padukshëm. Dimitrov  po ashtu tha se mirëpresin dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit por Maqedonia duhet të jetë e urtë. Teuta Buçi /SHENJA/