Një kandidat i pranueshëm për president për Lëvizjen Besa, do të ishte një person i cili do të zhvishej nga ngarkesa politike dhe nacionale, që do të kishte vizion për të ardhmen dhe për raportet me institucionet, shoqërinë dhe në të njëjtën kohë me institucionet ndërkombëtare dhe me shtetet fqinje. Kështu ka deklaruar Arben Labënishti nga Lëvizja BESA në emisionin “Studio e Hapur”. Ai ka thënë se partia që përfaqëson ai është në konsultime të brendshme lidhur me këtë çështje, duke shtuar se akoma nuk është marrë vendim nëse Lëvizja BESA do të ketë kandidat të vetin apo do të mbështes ndonjë kandidat tjetër.

Arben Labënishti, Lëvizja BESA
“Presidenti do të duhet të zhvishet nga ngarkesa politike që mund të ketë, në të njejtën kohë duhet të zhvishet nga ngarkesa nacionale që mund të ketë, t’i respektojë të gjithë njëlloj, logjikisht që duhet të ketë një vizion për të ardhmen e vendit, për raportin që duhet të ruaj me institucionet e shtetit dhe me individin tash po them të shoqërisë së shtetit dhe të njejtën kohë me institucionet ndërkombëtare dhe me fqinjët në rajon, për të qenë i pranueshëm për logjikën tonë.”

Labënishti foli më tej për korrupsionin duke e cilësuar atë si plagën më të thellë të shoqërisë. Ai nënvizoi se grupacione të caktuara brenda vendit janë të interesuar për një lloj amullie që ky fenomen të mos luftohet për shkak të interesave personale.

Arben Labënishti, Lëvizja BESA
Korrupsioni është plaga më e thellë e dëmshme e shoqërisë, e cila fatkeqësisht në vend që të ketë një ecje prapa ka lëshuar ato tentakulat e saj dhe ka përfshirë të gjithë shoqërinë në gjithë sektorët fatkeqësisht, si e tillë kërkon nja trajtim serioz, kërkon një trajtim me një analizë të mirëfitlltë të analizës të cilën ajo përfaqëson, si rrugë e vetme që shteti të hap rrugën e mirëqenies së popullatës.”

Ai shtoi më tej se lidhur me luftën kundër korrupsionit nevojiten reforma të thella dhe u zotua se Lëvizja BESA do e luftojë këtë fenomen. Megjithatë sipas tij, edhe për këto reforma nevojitet një ndihmë ndërkombëtare.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

Loading...