Anësori i Barcelonës Ousmane Dembele do të mungojë të paktën dy javë, pas lëndimit që e pësoi në fitoren e kampionit spanjoll 3-1 ndaj Leganes të dielën në La Liga.

Dembele e hapi serinë e golave duke e regjistruar golin e tij të 13-të në të gjithë garat deri tani këtë sezon, por u detyrua ta lërë fushën për Malcomin në minutën e 69-të, për shkak se e ndrydhi nyjën e këmbës së majtë, transmeton Gazeta Express.

Në fillim të këtij sezoni, francezi 21-vjeçar pati probleme me trajnerin Ernesto Valverde për shkak të disiplinës së tij.

Por, Dembele është shndërruar tani në një lojtar tejet të rëndësishëm për ekipin e parë të Barçës, dhe lajmi se ai me gjasë do të jetë i gatshëm për ndeshjen e 1/8 së finales ndaj Lyonit në Ligën e Kampionëve, është lehtësim i madh për Valverden.

“Testet e kryera nga Ousmane Dembele konfirmojnë se ai e ka ndrydhur nyjën e këmbës dhe do të mungojë rreth 15 ditë”, thuhet në njoftimin e Barçës.

Prandaj, Dembele pritet të mungojë ndaj Sevillën në të dy ndeshjet çerekfinale të Kupës së Mbretit dhe në dy të tjera në La Liga, ndaj Gironas dhe Valencias.