Ylli i Kombëtares së Kosovës, Benjamin Kololli, ka arritur t’i shënojë përsëri dy gola në ndeshjen miqësore të klubit të tij, Zurichut, kundër klubit gjerman, Uerdingen, që përfundoi me rezultat 3:1 në favor të zviceranëve.

Kolloli i kishte shënuar dy gola edhe në ndeshjen e kaluar, vetëm pesë ditë më parë, kundër Aarau. Zurichu e kishte fituar atë ndeshje me rezultat 4-3, ku përveç Kolollit, kishte shënuar edhe shqiptari tjetër, Lavdim Zymberi, shkruan Gazeta Express.

Ndërsa, në ndeshjen që u zhvillua sot në orën 14:00, Kololli ia siguroi fitoren skuadrës së tij, duke e kaluar rezultatin nga 1:1 në 3:1 përmes dy golave të tij, të shënuar në minutën e 84-të dhe në minutën e 90-të.

Kololli i ka bërë gjithsej 24 paraqitje për Zurichun gjatë pjesës së parë të këtij sezoni, gjatë së cilave i shënoi nëntë gola dhe i bëri gjashtë asiste. Ndërsa, gjatë 17 paraqitjeve në ligën zvicerane, Super League, kosovari i shënoi gjashtë gola dhe i bëri katër asiste.

Këto paraqitje të Kolollit i kishin ndihmuar Zurichut ta sigurojë vendin e katërt në tabelën e Super Ligës zvicerane gjatë pjesës së parë të sezonit. Klubi i tij gjendet vetëm pesë pikë larg klubit në pozitën e dytë, Baselit, ndërsa plot 24 pikë larg liderit, Young Boys.

Ylli kosovar nuk e ka ulur nivelin e paraqitjeve të tij as në ndeshjet miqësore, të cilat janë duke u zhvilluar gjatë pushimit dimëror, derisa të fillojë pjesa e dytë e sezonit. Këtë gjë e dëshmojnë katër golat e tij në dy ndeshjet e fundit.

Kololli ishte treguar mjaft efektiv edhe në paraqitjet e tij për Kombëtaren e Kosovës, pasi që gjatë ndeshjeve të grupit të Ligës së Kombeve, kontribuoi me tri gola në suksesin e treguar nga skuadra e Bernard Challandes. Këto gola të tij ndihmuan që Kosova ta fitojë Grupin 3 të Ligës D në kuadër të Ligës së Kombeve, duke e siguruar kështu promovimin në Ligën C dhe një vend në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian.