Elizabeta Kançeska – Milevska i zëvendësoi bankat e parlamentit me ato të gjykatave. Pas pushimit për festat e Vitit të Ri, vazhdoi gjykimi i ish Ministres së Kulturës për rastin “Tenderët” të PSP-së. Kançeska – Milevska këmbëngul se ajo nuk ka bërë pazar me pushtetin dhe me votën e saj për ndryshimet kushtetuese të sigurojë lirinë. Ajo nuk ishte shantazhuar , por edhe nuk ka shantazhuar. Ka votuar sipas bindjes personale pa pasur ndonjë pritje. Historinë e saj mund ta konfirmojë Zoran Zaevi.

Për gjithë këtë që po ju them, ju mund ta konfirmoni informacionin edhe të shkoni te kryeministri, për të parë se ajo që po ju them është pikërisht kështu. Pra, as që kërkova që të zgjidhej diçka, e as që jam shantazhuar nga ana e tij, e as që kam shantazhuar unë dikë tjetër për tërë këtë. Kështu që ju mund ti kontrolloni të gjitha këto dhe të bindeni për këtë çfarë po ju them ”  -theksoi Elizabeta Kançeska – Milevska, e akuzuar

Kançeska – Milevska akuzohet për tenderin, për kryerjen e punëve ndërtimore në Muzeun e VMRO-së. PSP e ndjek atë sipas nenit 353 të Kodit Penal. Pikërisht këtë nen para Vitit të Ri, shumica në Kuvend donte ta ndryshonte. Nën presionin e opinionit, ligjvënësit u tërhoqën, por pa diskutim dhe me afate të shkurtuara e ndryshuan nenin 275-c, sipas të cilit PSP-ja e ndoqi biznesmenin Sead Koçan dhe Vasilije Aviroviq. U zvogëlua lartësia e dënimit të burgimit. Kançeska – Milevska nuk ka qenë pjesë e deputetëve që kanë kërkuar ndryshime në Kodin Penal.

Ju e dini mirë, sepse i ndiqni të gjitha ngjarjet në Kuvend, pra ndryshimet në pjesën e Kodit Penal u paraqitën nga një grup deputetësh nga shumica. Kështu që as nuk do të propozoj, dhe as që do të propozoja diçka ”  -tha Elizabeta Kançeska – Milevska, e akuzuar

Në seancën e fundit u morën në pyetje dy dëshmitarë për rastin “Tenderët”, me propozimin e Prokurorisë Speciale.