Shpresoj se përveç zgjedhjeve në këtë vit do të shohim edhe reforma thelbësore evropiane dhe investime kapitale të cilat realisht do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ky do të jetë rast i vërtetë për triumfalizëm. Pasi kjo u nevojitet qytetarëve të Maqedonisë.

Këtë e porositi presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në pritjen, që me rastin e festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve sonte në Shkup e organizoi për përfaqësuesit e trupit diplomatik.

“Qëndrimet e mia lidhur me ngjarjet e fundit në Republikën e Maqedonisë i shpreha edhe në fjalimin vjetor në Kuvend por edhe nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Nuk do ta ndryshoja asnjë fjalë, pasi e kam folur të vërtetën për atë që është më e nevojshme për qytetarët. Kjo më jep fuqi të mbetem konsekuent për vendimet dhe qëndrimet e mia. Do ta përsëris atë në vijim. Të drejtën e vetëpërcaktimit dhe të drejtën e ekzistimit të popullit maqedonas, por edhe parimet e demokracisë dhe qeverisjes të së drejtës nuk guxojnë të vihen në pikëpyetje”, tha presidenti Ivanov.

Sipas tij anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO e bashkon të gjithë shoqërinë, pasi për qytetarët e Maqedonisë NATO do të thotë siguri, ndërsa Bashkimi Evropian do të thotë prosperitet.

Duke u kthyer në 10 vitet e fundit të mandatit të tij, Ivanov i falënderoi ambasadorët aktual dhe ish-ambasadorët të cilët ndihmuan në thellimin e marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Maqedonisë.

“Në dhjetë vitet e kaluara si president i Republikës së Maqedonia pata mundësi të takohem dhe të bashkëpunoj me rreth 170 ambasadorë rezidentë dhe jorezidentë prej rreth 100 shteteve dhe organizatave ndërkombëtare. Edhe pse nuk pata mundësi me të gjithë të kem takime të shpeshta, megjithatë e kam shfrytëzuar çdo rast për të këmbyer mendime për çështje të rëndësishme. Një prej ngjarjeve të tilla është pritja tradicionale e Vitit të Ri”, tha presidenti Ivanov.

Presidenti Ivanov për më 7 maj e paralajmëroi vizitën tek Papa Françesku.

“Në fokusin e vizitës së tij zyrtare në Republikën e Maqedonisë do të jetë Nënë Tereza si shprehje e bashkëjetesës së vërtetë, autentike, që nuk është imponuar me forcë, por buron në mënyrë organike prej shoqërisë shumëetnike, shumëgjuhëshe dhe multireligjioze. Respektimi i diversitetit është shprehje e besimit, ndërsa çelësi për besimin është përgjegjësia, pasi çdo e drejtë e fituar nënkupton edhe përgjegjësi”, tha presidenti Ivanov.

Në pritje fjalim mbajti edhe ambasadori, Mats Stefanson i cili theksoi se derisa Ivanov ka qenë president në afat prej dy mandatesh vendi është ballafaquar me shumë vështirësi, në mesin e së cilave afera me përgjimin, protestat, vështirësitë rreth formimit të Qeverisë, ngjarjet në Kumanovë… Ai theksoi se vitin e fundit vendi ka qenë nën rrethimin diplomatik derisa kanë zgjatur negociatat për emrin, duke theksuar se ka qenë e qartë se të gjitha ato janë tema të ndjeshme dhe emotive.

Theksoi se në fillim të mandatit Ivanov ka theksuar se Maqedonia i takon BE-së dhe NATO-s, që ishte rast edhe me fjalimin e tij të fundit në Kuvend.

Potencoi se nëse zbatohet Marrëveshja në tërësi se një prej ëndrrave tona, hyrja e vendit në NATO do të realizohet, anëtarësimi në të ardhmen do të përshpejtohet pasi tashmë kanë filluar negociatat.