Pas dy fitoreve radhazi, Interi nuk arriti më shumë se një barazim pa gola në Serie A kundër Sassuolos.

Zikaltrit mbajtën më shumë topin, por mysafirët treguan se kishin udhëtuar në Milano për të marrë pikë.

Rastin e parë në takim e kishte Sassuolo, ishte Manuel Locatelli ai që rrezikoi portën e Samir Handanovic në minutën e 14, tjetër rast për gol për mysafirët ishte ai i Domenico Berardit (24′).

Pasi Interi është i dënuar me dy ndeshje pa tifozët e rritur për shkak të koreve raciste në ndeshjen kundër Napolit, në këtë takim të pranishëm në Giuseppe Meazza ishin 11 mijë fëmijë.

Matteo Politano lëshoi rast të mirë për gol në minutën e 31-të, ndërsa raste serioze për gol nuk kishte më në pjesën e parë.

Ishte Sassuolo që krijoi edhe rastin e parë serioz në pjesën e dytë, por Handanovic bëri një pritje fantastike duke ia mohuar Kevin-Prince Boatengut golin.

Në fundin e pjesës së dytë ishin zikaltrit që kërkuan golin, por nuk e arritën dhe në fund nuk arritën të rrëmbejnë më shumë se një pikë.

Pas këtij barazimi skuadra e Luciano Spallettit renditet në vendin e tretë me 40 pikë, kurse Sassuolo në pozitën e 12-të me 26 pikë.

Ndeshja e ardhshme e Interit është kundër Torinos, ndërsa Sassolo luan ndaj Cagliarit.