Situata mes Mauro Icardit dhe Interit po nxehet gjithmonë e më shumë.

Ndërsa klubi i ka kërkuar lojtarit dhe bashkëshortes-menaxhere të tij, Wanda Nara, që të limitojnë deklarata publike në lidhje me negociatat për rinovimin, dhe jo vetëm, çifti duket se ka humbur kontrollin e situatës.

Në fillim ka qenë Wanda që ka zbuluar se sa larg janë palët, më pas Icardi ka dalë në mbrojtje të gruas duke sulmuar “La Gazetta dello Sport”, që ka shkruar se Inter i ka kërkuar atij të gjejë një menaxher tjetër. Tani kapiteni zikaltër i është drejtuar përsëri Instagramit për të sqaruar se nuk ka marrë asnjë ofertë konkrete nga ana e klubit:

“Dua të sqaroj të gjithë lexuesit që lexojnë shkrime nga pseudogazetarë dhe gazeta serioze, të cilët shkruajnë pa ditur ose japin udhëzime që të bëhen shkrime pa pasur asnjë ide të fakteve, se rinovimi im me Interin do të ndodhë në momentin që klubi do të propozojë një ofertë korrekte dhe konkrete”.

“Vetëm atëherë do të mund të flasim për rinovim, duke shmangur shpifjet që po përhapen tani”, ka qenë mesazhi i postuar nga Icardi.

 

Loading...