Kryeministri Ramush Haradinaj nuk e ka komentuar mos-dekretimin e Gent Cakajt si ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë.

I pari i qeverisë ka thënë se e do Shqipërinë dhe Metën e ka mik.

“Unë e dua Shqipërinë pa kushte dhe e kam shumë mik Ilir Metën. Por me komentua një vendim të tillë jo”, tha Haradinaj pas mbledhje së parë të qeverisë për 2019.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë dhjetorit bëri disa reformime në kabinetin e tij dhe vendosi që Cakajn dhe Besa Shahinin nga Kosova, t’i ngriste në detyrë. Ata ishin zëvendësministra në Qeverinë Rama, dhe kryeministri vendosi t’i bëjë ministra.

Meta dekretoi Besa Shahinin si ministre të Arsimit, por refuzoi ta dekretonte Cakajn si kryediplomat.

Presidenti dha si arsyetim mungesën e përvojës si dhe i quajti të rrezikshme dhe destruktive deklaratat e Cakajt pro korrigjimit të kufijve të Kosovës.