Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka deklaruar se zyra e kryeministrit nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në lidhje me kërkesën për pajisje me vizë nga ana e kryeministit Ramush Haradinaj.

“E vetmja arsye e udhëtimit të kryeministrit në SHBA, do të ishte pjesëmarrja në organizimin e Lutjes së Mëngjesit” ka deklaruar Gashi për rel.

Më parë, stacioni televiziv “Al Jazeera Balkans” pohoi se duke u bazuar në burime nga Departamenti amerikan i Shtetit, kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është refuzuar viza amerikane për shkak të tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës dhe se ai nuk do të mund të marrë pjesë në një konferencë për Ballkanin në fillim të shkurtit.

Mospjesmarrjen në këtë konferencë e ka konfirmuar për këtë stacion televiziv edhe njëri nga organizatorët.

Gjatë ditës së hënë mediat në Kosovë, raportuan se Këshilli për Siguri Kombëtare dhe Departamenti i Shtetit iu kanë dërguar një dokument tetë pikësh institicuoneve të Kosovës ku kërkojnë heqjen e menjëhershme të tarifës ndaj mallrave serbe në të kundërtën institucionet kosovare do të përballen me sanksione amërikane.

Megjithatë, të hënën, kryeministri Haradinaj deklaroi se Prishtina do ta shfuqizojë tarifën vetëm nëse pranon garanci ndërkombëtare që marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë.