Edhe sot priten reagime pas vendimit të mbrëmshëm të Kuvendit të Maqedonisë për të miratuar ndryshimet e Kushtetutës, me të cilat përfshihen në Kushtetutë amendamentet e reja në përputhje me Marrëveshjen me Greqinë, raporton Tv SHENJA.

Miratimi i marrëveshjes është cilësuar hap historik nga krerët e institucioneve, të partive politike dhe krerët e shteteve dhe të institucioneve ndërkombëtare.

Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se me këtë vendim hapen dyert e NATO-s dhe BE-së për Republikën e Maqedonisë. Në anën tjetër, kryetari i VMRO-së Hristijan Mickoski ka vlerësuar se ndryshimi i Kushtetutës është bërë në mënyrë jolegjitime, ndërsa ka kërkuar shpërndarjen e menjëhershme të Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale.

Kujtojmë se mbrëmë, ndryshimet u miratuam me 81 vota “për”. Me numër të njëjtë të votave Kuvendi solli vendim për shpallje të amendamenteve 33, 34,35 dhe 36, të cilën bëhen pjesë të Kushtetutës.

Me amendamentin 33, fjalët “Republika e Maqedonisë” zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”. Amendamenti 34 ka të bëjë me ndryshimet në Preambulë. Amendamenti 35 garanton se e respekton “sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje, të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Bullgarisë, Republikës së Greqisë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ndërsa, amendamenti 36 ka të bëjë me kujdesin e shtetit për diasporën.

Këto amendamente hyjnë në fuqi pasi të hyjë në fuqi tërësisht Marrëveshja e Prespës, gjegjësisht pasi të ratifikohet në parlamentin grek.

Loading...