Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka lavdëruar trajnerin e ri të Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaerin, duke thënë se ai e ka filluar karrierën e tij me “Djajtë e kuq” në mënyrë të mrekullueshme, më mirë se edhe vet spanjolli.

Solskjaer i ka fituar të gjitha pesë ndeshjet e zhvilluara pas shkarkimit të Jose Mourinhos më 18 dhjetor, duke e barazuar kështu rekordin e vendosur nga ish-trajneri i “Djajve të kuq”, Sir Matt Busby, transmeton Gazeta Express.

Norvegjezi 45-vjeçar, i cili do të qëndrojë në pozitën e trajnerit deri në fund të këtij sezoni, mund ta thyejë rekordin e Busbyt nëse arrin të sigurojë fitore në ndeshjen e së dielës kundër Tottenhamit, në kuadër të Premierligës.

Solskjaer ka arritur ta përmirësojë menjëherë atmosferën në klub, e cila raportohet se ishte toksike gjatë kohës kur në klub ishte Jose Mourinho. Këtë gjë e kanë konfirmuar edhe ish-lojtarët dhe lojtarët aktual të klubit, si Wayne Rooney e Sergio Romero.

“Ai e ka filluar shumë më mirë se unë, unë e humba ndeshjen time të parë dhe e barazova të dytën pasi u emërova në pozitën e trajnerin në vitin 2016”, ka thënë Guardiola në konferencën për shtyp pas ndeshjes gjysmëfinale së EFL Cup kundër Burton Albion, të cilën skuadra e tij e fitoi me rezultat 9-0.

“Ai i ka fituar të gjitha ndeshjet. Ai është një trajner i ri, i cili po merr rezultate të mrekullueshme. Unë i kam parë disa pjesë të ndeshjeve që i kanë zhvilluar ata dhe bënin një lojë të mirë”.

“Por, nuk është puna ime të flas për kundërshtarët. Kemi një ndeshje të vështirë kundër Wolvesit. Do të jetë shumë e vështirë, kemi një ditë pushim dhe pastaj duhet të bëhemi gati për ndeshjen”.

Kampioni në fuqi i Premierligës, Manchester City, pozicionohet në vendin e dytë të tabelës për momentin, katër pikë prapa liderit, Liverpoolit, dhe plot 12 pikë para Manchester Unitedit, që pozicionohet në vendin e gjashtë.

Nëse Manchester Unitedi arrin ta mposhtë Tottenhamin në fundjavë, ata do të jenë një hap më afër sigurimi të një vendi në top katërshe, që siguron kualifikim në Ligën e Kampionëve.