Një depo e re farmaceutike do ti shtohet qendrës spitalore universitare Nënë Tereza. Investimi kap shifrën e 18 milion eurove dhe depoja do të garantojë një siguri edhe më të lartë  në shërbimin farmaceutik.

Kryeministri Rama ka inspektuar punimet në QSUT, i shoqëruar nga ministrja Manastirliu. 

 “Do ketë 7 dhoma frigoriferike, me të gjitha kushtet optimale që duhan për barnat që vijnë. Ka një magazinë të madhe për të gjithë pjesën e serumeve dhe të gjithë elementëve të tjerë. Çdo bar që futet në QSUT është i skanuar me një barkod dhe gjithashtu kur del, deri sa shkon tek pacienti, gjithashtu me barkodin e vet. Është një investim, i cili siguron dhe garanton cilësi,” – tha ministrja Manastirliu,

Një investim që siguron standardet më të larta europiane të sigurisë dhe cilësisë së barnave dhe një transformim i rëndësishëm për gjithë strukturën e shërbimit të QSUT-së, u cilësua nga Kryeministri Rama.

Paralelisht me këtë investim, një tjetër shërbim falas nga qeveria do të shtohet për pacientët në këtë qendër. Behët fjalë për vendosjen e lentes ose siç njihet ndryshe kataraktit, një shërbim ky i cili kushton sot 700 dollarë.

 “QSUT prej këtij viti fillon ofrimin e një shërbimi shumë të rëndësishëm, falas për çdo qytetar që ka nevojë për ndërhyrjen e kataraktit, ose vendosjen e lentes. Do të ofrohet për më shumë se 2000 pacientë në vit, gjithashtu dhe në spitalet rajonale. Spitali Rajonal i Vlorës e ka filluar, gjithashtu pritet të fillojë dhe spitali i Elbasanit”, – u shpreh ministrja Manastirliu.

 “Këtu dhe në spitalet në tërësi ka mjekë fantastikë dhe infermierë shumë të devotshëm, kuptohet, ka edhe nga ata që na turpërojnë, por e vërteta është që unë e kam parë me shumë njerëz që kalojnë nga spitali, që ndryshojnë mendim kur bëjnë shërbimin, se presin keq dhe ju del mirë,” – u shpreh  kryeministri.