Gjendja me protestat e pazarxhinjve në Shkup rreth zbatimit të Ligjit për tregti të tregjeve të gjelbra mund të zgjidhet me bisedime të ndërsjella, por edhe përfshirjen e institucioneve tjera në këtë proces, deklaroi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pas vizitës në disa kompani të Tetovës, njofton Koha.

Ai theksoi se për kërkesën rreth shtyrjes së zbatimit të Ligjit ose heqjen e tij si Ministri nuk kanë kompetenca, por se kjo është kompetencë e Kuvendit.

“Në momentin e miratimit të këtij Ligji në janar të vitit të kaluar oda e vetme e cila punonte atëherë dhe e cila dërgoi kërkesë për dhënien e licencave për shitje në tregjet e gjelbra ishte Oda e Tregtarëve të Maqedonisë. Odat tjera të cilat tani dërgojnë kërkesë që edhe ato të marrin pjesë në dhënien e këtyre licencave janë formuar shumë më vonë. Si Ministri jemi të obliguar që t’i zbatojmë detyrimet të cilat dalin nga ky ligj dhe kompetenca jonë e vetme ishte sjellja e akteve dhe rregullave nënligjore gjë të cilën edhe e bëmë. Për heqjen ose shtyrjen e Ligjit të drejtë ka vetëm Kuvendi i Republikës së Maqedonisë tha Bekteshi.

Ai theksoi se është takuar me një pjesë të pazarxhinjve dhe organizatorëve të shitjes në tregjet e gjelbra dhe për momentin nuk kanë marrë kërkesë nga ana e tyre në fushën e tyre të punës si Ministri.

“Pensionistët nuk preken me Ligjin për tregti në tregjet e gjelbra, por ato nuk kanë të drejtë të punojnë sipas ligjit për marrëdhënie pune që parasheh se ata si edhe të punësuarit në pajtueshmëri me punëdhënësin kanë të drejtë pune, por jo më shumë se 10 orë në javë. Unë kam kërkuar edhe takim me deputetët propozues të Ligjit për tregti të tregjeve të gjelbra që së bashku të flasim rreth hapave të mundshme për ndryshim të tyre dhe tejkalimin e gjendjes”, shtoi Bekteshi.