Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve, Joseph Lengyel, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, deklaroi se krerët më të lartë ushtarak amerikanë janë të vetëdijshëm për rritjen gjithnjë e më të madhe të aftësive ushtarake të Maqedonisë në rajon, nismat ushtarake të së cilës rrisin stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e ushtarakut amerikan Lengyel u bën në konferencën e përbashkët për media me ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, ku mes tjerash tha se dy vendet tashmë shënojnë 25 vjetorin e bashëkpunimit ushtarak, brenda të cilit shumë ushtarë amerikanë kanë kryer stërvitje në Maqedoni në poligonin Krivollak.

Nga këtu, tha Lengyel, ushtria amerikane përkrah Maqedoninë drejtë anëtarësimit të plotë në NATO dhe në BE, si dhe mbështet përpjekjet për reforma në gjyqësor, forcimin e institucioneve demokratike, luftën kundër korrupsionit, si dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Prespës.

“Pjesëtarët e gardave tona kombëtare stërviten dhe zbarkojnë bashkë me ushtarët tuaj, për çka jemi shumë falenderues për kontributin tuaj të çmuar si një partner i ardhshëm në NATO. Me padurim presim çastin kur do të përshëndesim vendin tuaj si anëtarin më të ri të NATO-s në një të ardhme të shpejtë”, tha Lengyel.

Ai shtoi se SHBA-të dhe vendet e saja partnere mbështesin përpjekjet e shteteve për të trasuar rrugën e cila çon drejt një prosperiteti dhe sigurie për popullin, gjë të cilën, siç tha ai, e mundëson Programi Shtetëror për Partneritet.

Ministrja Shekerinska, nga ana e saj, tha se partnetiteti 25 vjeçar me SHBA-të në fushën e mbrojtjes ka bërë që armata e Maqedonisë të furnizohet me shumë dituri dhe profesionalizëm. Ajo shtoi se vendi meriton anëtarësimin në NATO, sepse dëshmoi se di të zgjidh dhe jo të ngrijë problemet që ka, me theks të veçantë te marëveshja me Greqinë.

“Këtë vit para vetes kemi stërvitjen e përbashkët Goditja Vendimtare për çka në Maqedoni do të mbërrijnë mbi një mije ushtarë nga Brigada e 56-të e Pensilvanisë për stërvitje të përbashkët me ushtarët e brigadës së Parë të Mekanizuar. Bashkëpunimin dypalësh që po zgjat për 25 vite do ta çojmë në një nivel më të lartë, prandaj jam e lumtur që këto ditë do të jemi nikoqirë të gjeneralit amerikan”, tha Shekjerinska.

Në kuadër të qëndrimit të tij në Shkup, shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve, Joseph Lengyel, pas takimit me ministren Shekerinska u prit në një takim edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), Vasko Gjurçinovski.