Sot nisi sesioni i ri parlamentar, ndërsa e pranishme ishte edhe opozita.

Gjatë fjalës së tij kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se ministrat e rinj të qeverisë Rama janë figura të panjohura dhe që nuk kanë dhënë asnjë kontribut as për PS dhe as për vendin.

Por gjatë fjalës së tij ai pati edhe një debat me kryeministrin Rama.

Basha: Hap pas hapi keni parë si u vu në jetë ky projekt, u asgjesuan zgjedhjet, u asgjesua e drejta e votës. U asgjesua Kuvendi, sot kjo sallë nuk përfaqëson interesin publik, ata që kanë forcën e kartonave e morën përmes forcës së krimit. Ky kuvend sot përfaqëson vesin më të shëmtuar në 28 vite pluralizëm, hajdutërinë. U asgjesua Gjykata Kushtetuese, u asgjesua nga kjo sallë prokuroria, tani i erdhi radha asgjesimit të PS.

Sot në pushtet ka vetëm një njeri që qeveris me një grusht oligarkësh dhe kriminelësh që kontrollojnë të gjitha pushtetet në vend, jashtë çdo kontrolli dhe procesi politik.

Sot ministra në pushtet nuk janë më  as përfaqësues të popullit, as përfaqësues të PS. Sot ka vetëm një pushtet, pushteti personal i Edi Ramës. Shikojini pak. I njihni kush janë? Më thoni emrin e njëri prej tyre? A i njihni o socialistë kush është kjo zonjë, kush është kjo tjetra? Ai i njihni kush janë? Çfarë janë?

Janë  kukullat e këtij. I mbani mend emrat? Kush janë, ministre e kujt është, çfarë ka bërë për këtë vend?

Rama: Po ti ca kishe bërë që të morën?!

Basha: Mos pëllit, se nëse ka filluar të të dhëmbë, tani do të të dhembë më shumë, shumë shpejt, mos pëllit.

Kush janë, nga i mori, nga i nxori, për çfarë i nxori?

Një grusht oligarkësh i kanë miratuar, ata ja kanë sjellë. Pazaret e milionave. 20 mln euro km tek unaza. Këta ja kanë sjellë që ky të firmosë pa e penguar njeri. Arroganca e një të çmenduri që pikturon veten lakuriq në Instagram.

Bëri sikur imitoi Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën, por i ra fasada dhe doli si Enver Hoxha, edhe kryeministër edhe ministër i Jashtëm.

Nivelin e kabinetit të Surrelit e ka të nivelit të Enver Hoxhës, të Lenka Cukos dhe Pali Miskës.

Asgjë e mirë nuk mund të vijë nga kjo, faturën për ketë vazhdon e paguan populli. E paguajnë studentët, pensionistët, të papunët, pronarët të përndjekurit.

Vendi është në emergjencë kombëtare dhe faturën për këtë të marrë e paguajnë studentët. Nuk ka lekë për të ulur tarifat dhe del një nga figurinat dhe thotë do tja marr koncesionit Thumanë-Kashar. Pse?

Ai në fakt duhet anuluar dhe duhen çuar për ndjekje penale ata që e bënë. Shqiptarët duhet ta dinë që në buxhetin e 2019, ky hajdut psikik ka rezervuar zero lekë për Thumanë- Rrogozinë.