Një ndër avokatëtë e Klement Balilit, zoti Baftjar Rusi, ka deklaruar këtë të martë se Klement Balili është dorëzuar me dëshirën e tij, duke nënkuptuar se policia ka patur pak ose aspak rol në këtë çështje.

I ftuar në emisionin Dritare, avokati Rusi u shpreh se hetimet mbi Balilin janë bërë posaçërisht nga Greqia dhe se Shqipëria nuk ka bërë asnjë lloj hetimi mbi personin më të kërkuar në vend prej thuajse 3 vitesh.

“Para 1 viti kemi qenë tek ky TV, vëllai i Klement Balilit, Bashkimi dhe kam qenë dhe unë. Kemi deklaruar që në një moment të caktuar ai do vetëdorëzohet. Ishte momenti sepse mbaroi afati i hetimit. Ç’rëndësi ka ku ishte. Ai doli nga shtëpia e vet sot.

Më tej avokati tha se ky nuk ishte një arrestim, por vetëdorëzim i plotë. “Ai është i dorëzuar plotësisht, pasi ishte përgatitur për të shkuar vet në polici. Shqipëria nuk ka bërë hetim, por ka marrë vetëm dosjen greke për Balilin”, shtoi avokati.