Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se i ka treguar Komisionerit të BE’së për zgjerim, Johannes Hahn, se Kosova është e interesuar në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa s’ka pasur asnjë fjalë për taksën që po përplas tash e dy muaj atë me zyrtarë të lartë të BE’së.

Haradinaj as sot pas takimit me komisonerin Hahn nuk pati konferencë të përbashkët me të, ndërsa në Facebook ka dhënë një shpjegim formal mbi takimin, shkruan Gazeta Express.

Shefi i ekzekutivit tregon t’i ketë thënë Hahnit se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe se pret verprim të shpejtë.

“Në takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ritheksova se pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së. Në këtë drejtim, kemi shënuar progres në agjendën europiane dhe pas përmbushjes në tërësi të kritereve për liberalizim presim një vendim të shpejtë, që të na njihet e drejta e lëvizjes së lirë”, ka shkruar Haradinaj në FB.

As komisoneri Hahn nuk e komentoi çështjes e taksës, për të cilën është intensifikuar presioni i ndërkombëtarëve.

Ai, përmes një shkrimi në Twitter, e cilësoi takimin e sotëm të këndshëm dhe të hapur.

“Vizita e parë e 2019’ës në rajon: Prishtina e bardhë: Kisha një diskutim të mirë dhe të hapur me kryeministrin Ramush Haradinajn dhe me ministrat. Do të vazhdojmë që të punojmë në të gjitha cështjet e hapura këtë vit, ashtu që Kosova të mund të përparojë në rrugën e saj drejt BE’së”, ka shkruar komisioneri Hahn.

Komisioneri Hahn pas takimit me Haradinajn, do të udhëtojë për në Tiranë, ku do ta takojë kryeministrin Edi Rama.