Anëtarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në mënyrë simbolike mbollën 60 pemë në 2 hyrje të Prishtinës, duke adresuar disa hapa konkretë  sipas tyre për përmirësimin e ajrit në  Prishtinë. Ata thonë se aktivitet ka ardhur si shkak i neglizhencës së institucioneve qendrore dhe lokale.

Aktivistja Herta Manxhuka-Shujaku duke përmendur ndotjen nga termocentralet, ndotjen nga veturat, ndotjen nga nafta dhe cilësia e derivateve, ndotjen nga përdorimi I thëngjillit për ngrohje, si faktorë kyç të ndotjes së ajrit në vendin tonë, theksoi se nuk ka matje shkencore nga e cila saktësisht do të kuptonim saktë nga vjen ndotja e ajrit.

“Tek kjo gjendje alarmante me ndotjen e ajrit dhe ambientit kemi arritur si pasojë që për kohë të gjatë kjo është trajtuar si temë e dorës së dytë a tretë, përderisa efektet e kësaj ndotje kanë pasoja shumë të mëdha shëndetësore që nga shikimi i turbullt dhe kruarje të syve, rritja e sëmundjeve kronike, astma, bronhitisi, alergjitë respirative e të tjera, dhe po ashtu kjo ndotje efektin e vetë e shtrin edhe në botën bimore dhe shtazore” tha ndër të tjera Manxhuka-Shujaku.Ajo shtoi se edhe pse në fillim të vitit është miratuar një rezolutë e Kuvendit të Kosovës ku kërkohet që mbrojta e ambientit të shndërrohet në prioritet, e jo të diskutohet për këtë çështje vetëm gjatë periudhës nëntor-dhjetor-janar, nuk ka pasur hapa konkret në këtë drejtim.

“Një nga pikat më të rëndësishme të kësaj rezolute është vendosja e elektofiltrave të cilësisë në termoelektranat e KEK-ut deri në fund të vitit kalendarik 2018, por deri tash nuk ka asgjë në këtë drejtim pasi që KEK-u as që ka qenë i konsultuar nga Ministria e asaj kohe. Po ashtu pikë tjetër e rëndësishme është edhe shtimi i kontrollit të cilësisë së karburanteve, por siç thashë dhe më herët vetëm 5% e derivateve i nënshtrohen këtij kontrolli. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkret për këtë çështje, meqë jemi diskutuar për shëndetin e qytetarëve dhe jo për propozime e ide për ndonjë çështje që pret. Qeveria ka shume mekanizma për këtë fushë si dhe buxhetin për të adresuar këtë çështje. Situata është alarmante dhe sigurisht që nevojiten hapa emergjent për të dalë nga kjo situatë” përfundoi Manxhuka-Shujaku.

Aktivisti Valdrin Ahmeti tha se pikërisht me premtime për projekte të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Prishtinë, kryetari aktual kishte fituar zgjedhjet.

Pikërisht në këtë vend ku po zhvillohet ky aktivitet i joni, vërehet fluksi i madh i veturave që hyjnë në qytetitn e Prishtinës. Rreth 40% e veturave në Prishtinë vijnë nga jashtë qytetit. Të gjithëve na kujtohet që Shpend Ahmeti ka premtuar parkingje në 5 hyrje të qytetit me kapacitet prej 2000 veturave. Ky premtim jo që nuk është mbajtur, por Shpendi ka dështuar edhe të fillojë të punojë diçka në këtë drejtim. Po ashtu reforma e transportit publik, mbetet një premtim i ëmbël i Shpendit që nuk do të mbahet sepse tash e ka mendjen te pazaret e negociatave dhe protagonizmi personal i tij. Linjat nuk janë reformuar, nuk ka bileta të integruara, nuk ka lidhje të transportit publik me parkingjet jashtë qytetit meqë s’ka as parkingje, nuk ka orare të linjave dhe nuk ka respektim të orareve, e qytetarët nuk kanë as ku ta presin autobusin sepse nuk ka as strehë e ulëse e lëre më pritore modern me WiFi e GPS. ” tha aktivisti Valdrin Ahmeti.

Ai shtoi se edhe në mbjelljen e drunjve dhe rritjen e hapësirave gjelbëruese, Komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti ka dështuar të realizojë vendimin e seancës së Kuvendit Komunal ku thuhet se duhet të mbillen së paku 3000 drunjë. Komuna këtë vit përveç mbjelljes së 800 drunjve në ditën e Tokës dhe premtimit për mbjelljen e 700 drunjëve në sezonën vjeshtore, nuk ka ndërrmarrë hapa të tjerë.

“Shpendi me entuziazëm ka paralajmëruar iniciativën për mbjelljen e 38 000 drunjve për një vit dhe sigurisht që meqë ka dështuar në respektimin e vendimit të asamblesë komunale që të mbillen 3000 drunjë, sigurisht që për këtë as që mund të mendojmë. Mungesa e një plani konkret të zgjerimit të rrjetit të ngrohtores dhe njëkohësisht çmimi i cili duket i paleverdishëm për amvisëritë dhe duke ditur që edhe çmimi i energjisë elektrike si mundësi e ngrohjes është ngritur 3 herë brenda 2 viteve të fundit, sigurisht që qytetarët të përdorin zgjidhje tjera për ngrohje, kryesisht drunj e thëngjill” tha Ahmeti.

“Shpend Ahmeti ka dështuar të realizojë premtimin për parkingje jashtë qytetit. Shpend Ahmeti ka dështuar të reformojë transportin publik. Shpend Ahmeti ka dështuar të mbjellë drunj e ta rrisë gjelbërimin në Prishtinë. Shpend Ahmeti ka dështuar të zgjerojë si e sa duhet rrjetin e ngrohtores. Dhe pasojat e këtyre dështimeve të një kryetari të dështuar po i vuajmë të gjithë ne” përfundoi aktivisti Ahmeti.

Loading...