Republika e Maqedonisë, prej vitit 1991 kur u bë shtet i pavarur, autonom, e zgjodhi rrugën nëpër të cilën do të ecë dhe do të zhvillohet gjegjësisht përmbushjen e kushteve për anëtarësim të plotfuqishëm në familjen euroatlantike., kështu u shpreh kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sipas të cilit ky përcaktim ishte udhërrëfyesi i cili luajti rol tejet pozitiv në proceset e përgjithshme të tranzicionit të shteteve të Evropës Juglindore përfshi edhe Republikën e Maqedonisë.

“Ne mësojmë dhe i pranojmë parimet dhe standardet e demokracisë parlamentare, respektimin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive të njeriut, sundimin e të drejtës dhe shtetit juridik. Përmbushja e këtyre kushteve, do të kontribuojë që qytetarët tanë të ndjehen të barabartë dhe njëlloj të vlefshëm për shoqërinë dhe ndaj kësaj do të përgjigjen me besim në institucionet shtetërore dhe besnikëri ndaj vendit. Me sigurinë juridike, në pako shkon edhe siguria ekonomike, respektivisht vendi bëhet atraktiv edhe për investuesit e huaj për të cilët anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO është provë e mjaftueshme se investimet e tyre janë të sigurta, ndërsa përfitimi kuptohet se është edhe për ekonominë vendore e cila bëhet më e fuqishme, hapen vende të reja të punës dhe natyrisht zvogëlohet papunësia në vend, si konsekuencë, të rinjtë tanë janë të animuar që arsimimin e vet plotësues, rritjen dhe zhvillimin e vet profesional dhe ardhmërinë e familjes së vet ta planifikojnë këtu, në shtëpi, në vendin e vet. Dhe më e rëndësishmja, siguria e jetës, e pronës, pacenueshmëria dhe integriteti i kufijve janë esenciale. Pikërisht për këto arsye, sipas hulumtimeve të opinionit publik, në Republikën e Maqedonisë, mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm në integrimet euroatlantike është konstant mbi 75 për qind”, tha Xhaferi.

Ai gjatë fjalimit të tij nuk u ndal në atë se pse Maqedonia nuk është akoma anëtare e plotfuqishme e NATO-s.

“Nuk do të flas për Samitin në Bukuresht, kur Republika e Maqedonisë ishte bllokuar dhe nuk u bë anëtare e plotfuqishme në NATO, edhe pse atëherë së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë i përmbushëm kushtet për pranim. Dua të flas për të tashmen dhe shkurtimisht ta prezantoj gjendjen aktuale në Republikën e Maqedonisë a që është drejtpërdrejtë e ndërlidhur me realizimin e qëllimeve tona strategjike dhe ato janë anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Është e njohur në përgjithësi se marrëdhëniet e mira fqinjësore, zgjidhja e çështjeve të hapura dhe si konsekuencë, vendimmarrja me konsensus paraqesin “conditio sine qua non” për hyrjen e papenguar në aleancën e NATO-s. Duke u nisur nga nevoja për mënjanimin e këtyre pengesave reale, shumica parlamentare aktuale dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me përkrahje të qytetarëve, bashkërisht morën qëndrim dhe ndërmorën para së gjithash hapa të guximshme dhe vizionare në drejtim të tejkalimit të këtyre pengesave që e bllokonin integrimin tonë në NATO dhe në BE”, u shpreh Xhaferi.

“Fillimisht u nënshkrua Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë, me të cilën u afirmuan lidhjet e fuqishme ekzistuese dhe u hap dera për bashkëpunim edhe më të ngushtë në fusha të ndryshme, prej infrastrukturës deri në kulturë dhe mandej, në fillim të verës, pas kontestit që zgjati 27 vite të gjata, ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë e nënshkruan Marrëveshjen finale për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe për partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve ose, Marrëveshjen e ashtuquajtur të Prespës. Me këtë Marrëveshje u krijua korniza për zgjidhjen definitive të këtij kontesti që i ngarkonte marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Atenës dhe Shkupit, gjegjësisht, pamundësonte vendosje të marrëdhënieve diplomatike normale dhe zhvillim të marrëdhënieve natyrale, fqinjësore dhe të bashkëpunimit me fqinjin e drejtpërdrejtë. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, thënë në mënyrë metaforike, e ktheu shtetin dhe shoqërinë tonë përsëri në rrugën euroatlantike. Natyrisht se nuk ishte lehtë, kishte dyshime dhe mosbesim, arritja e kompromisit nuk është e lehtë kurrë, gjithmonë do të ketë ndonjë të pakënaqur mirëpo, nuk guxojmë ta shohim këtë si ana fitimtare dhe humbëse. Të gjithë ne jemi fitimtarë, për arsye se e hapëm rrugën drejt zgjidhjes së pranueshme për të dyja palët. Edhe pse, më duhet patjetër të them se edhe më tutje nuk do të jetë lehtë por, dëshmuam se kur ka vullnet, kur ka vizion për ardhmërinë, gjithçka është e mundshme, bile të lëvizen edhe male, për shkak se gjendja status quo në momente të caktuara, thënë sinqerisht ishte frustruese dhe e ndjenin më së shumti qytetarët tanë. Përveç kësaj, gjendja e këtillë kishte implikime mbi situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor a edhe më gjerë. Vlefshmëria e Marrëveshjes është parashikuar pas rrumbullakimit të disa fazave ose procedurave. Së pari u ratifikua Marrëveshja në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, që pastaj të vijojë prononcimi në referendum i qytetarëve për çështjen e pranimit të Marrëveshjes së Prespës i cili do e hapte rrugën për anëtarësim të shtetit në BE dhe në strukturat e NATO-s. E dini se referendumi, për shkak të bojkotit të opozitës nuk e përmbushi pragun e duhur të daljes mirëpo, është fakt se shumica e mbi 630 mijë qytetarëve që dolën të votojnë, me votën e vet e mbështetën marrëveshjen me Greqinë fqinje, respektivisht dhanë përkrahje për ndryshimet kushtetuese të cilat imponohen me implementimin e kësaj marrëveshjeje”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Xhaferi në fjalimin e tij ndal edhe në zhvillimet e fundit aktuale, me theks ndryshimet kushtetuese.

“Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë tani më është filluar procedura për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës dhe për momentin Komisioni Kushtetues e ka përfunduar debatin për amendamentet e dërguara nga Qeveria dhe të njëjtat janë përcjellë në procedurë të mëtejshme të përcaktuar me Rregulloren për punë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Faza e ardhshme është debati i gjerë publik për propozim amendamentet, në të cilin debat do të marrin pjesë subjektet më të ndryshme shoqërore të opinionit akademik dhe ekspert, sektori joqeveritar, bashkësia e biznesit dhe të tjera. Në këtë mënyrë, dëshirojmë që këto ndryshime të rëndësishme të kuptohen dhe të mbështeten para së gjithash prej një rrethi të gjerë të qytetarëve si edhe prej subjekteve më të ndryshme shoqërore dhe politike”, tha Xhaferi.