Nga mesi i këtij muaji Qeveria e Maqedonisë do të njoftohet me propozimet, që agjencitë të mbeten nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ose të një organizmit të ri qeveritar, transmeton Klan.

Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme: Duhet të jetë reformë në kuptim të arsyes, në kuptim të potencialit njerëzor që do të kenë këto shërbime. Dhe duhet të vihet theksi mbi atë si të rregullohet kjo juridikisht, përveç se do të përzgjedhim modelin.

Mirëpo, ajo që është më e rëndësishme, sipas ekspertëve të pranishëm në debatin e zhvilluar në Fakultetin e Sigurisë në Shkup , është bashkëpunimi dhe përkushtimi i tyre institucional.

Goran Nikolovski, Drejtor i Agjencisë së Kundërzbulimit: Tani nuk ka koordinim të sistemit të sigurisë, duhet një forum formal për koordinim.

Zoran Ivanov, Agjencia për Zbulim: Për shkak se sfidat nuk lënë aspak hapësirë për të gabuar.

Pjesë e këtij procesi të vështirë është edhe i ashtuquajturi “Veting”, për verifikimin e paralajmëruar të pasurisë së të punësuarëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe gjithë kjo me qëllim të uljes së shkallës së korrupsionit në radhët e policisë.

Ministri i Brendshëm Spasovski tha se për këtë qëllim këto ditë do të kontaktojë kolegët e tij nga Shqipëria për të parë përvojat me ‘Vetting-un’ dhe më pas do të duhej që propozim-ligji për këtë të gjendet në procedurë parlamentare.