Zyra e Prokurorisë së Shtetit në Stamboll, konfirmoi se kërkimet e djeshme në dy vilat në provincën Yalova, janë bërë në kuadër të hetimeve mbi vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency.

“Të dyshuarit vranë me paramendim Khashoggin, duke e kapur pas hyrjes së tij në konsullatë, pastaj gjymtuan trupin e tij. Hetimi ka konstatuar se në bazë të planit për vrasjen e Khashoggit, më 1 dhe 2 nëntor në Turqi ka qëndruar njëri nga të dyshuarit Mansour Othman M. Abbahssain, i cili më 1 tetor ka kontaktuar shtetasin saudit Mohammed Ahmed A. Alfaozan, me emrin e koduar Ghozan, i paraqitur me qëndrim në adresën e vilës në Yalova”, thuhet në njoftim.

Në deklaratën e saj, Prokuroria thotë se është duke hetuar nëse ky kontakt, është i lidhur me shkatërrimin ose fshehjen e mbetjeve mortore të gjymtuara të gazetarit të vrarë Khashoggi.

“Në lidhje me këtë, u lëshua një urdhër për kërkim të vilës dhe objektit të saj fqinj në fshatin Samanl?”, thotë Prokuroria.

Gazetari saudit, Jamal Khashoggi, u vra pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor. Pas disa javësh mohime për përfshirje në krim, Arabia Saudite më vonë pranoi se Khashoggi ishte vrarë brenda konsullatës, por tha se familja mbretërore saudite nuk kishte njohuri paraprake për ndonjë komplot për vrasjen e gazetarit.