Barcelona e viziton “San Siron” të martën mbrëma, për t’u ndeshur me Interin në Ligën e Kampionëve, por para këtij takimi trajneri i zikaltërve, Luciano Spalletti, ka gjetur kohë ta lartësojë Lionel Messin.

Spalletti e ka lavdëruar edhe Barcelonën duke e quajtur ndër institucionet më të mëdha të sportit, para takimit që nis në orën 21:00 këtë të martë, transmeton Express.

“Fanella e Messit është ajo që e dëshiron çdo fëmijë që ëndërron të bëhet futbollist”, tha Spalletti të hënën në një konferencë për media.

“Ai luan futboll në një shpejtësi tjetër. Ai është më i miri”, shtoi ai.

“Kur flet për Barcelonën, flet për nivelin më të lartë të vështirësisë që ekziston. Barça është pikë referuese për trajnerët në çfarëdo sporti”, theksoi ai.