Sot në seanca të veçanta publike në Gjykatën e Apelit, mbrojtja e Mile Janakieskit dhe Kiril Bozhinovskit do të shpjegojnë se përse duhet t’u ndërpritet paraburgimi. Ata prapa grilave janë tanimë dhjetë ditë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, e cila dyshon se kanë planifikuar arratisje. Specialja i referohet një shënimi zyrtar të DSK-së. Mbrojtja e mohon një gjë të tillë.

“Së pari, në mungesë, pa u lejuar aspak të shprehen në seanca jopublike, janë vendosur në paraburgim. Mbrojtja as që është prononcuar e as që jemi të njoftuar me dëshminë. Nuk ka pasur asnjë ndërmjetës, as nuk është kërkuar amnisti nga Ivanovi “, tha Boro Tasevski, avokat.

Nga VMRO DPMNE-ja akuzojnë se paraburgimi është i bazuar në një shënim zyrtar të kurdisur, të klasifikuar si rreptësisht i besueshëm. Kjo parti kërkon që gjykatësit t’u lejojnë Janakieskit dhe Bozhinovskin të mbrohen në liri.

Kërkohet shfuqizimi i paraburgimit të Bozhinovskit dhe Janakieskit nga Apeli, mirëpo nuk përmendet Mijallkovi. A mendoni se paraburgimi është përcaktuar sipas ligjit apo keni arsye tjera?

Siç edhe ka deklaruar më herët VMRO DPMNE, kryesia e partisë me zotëri Mijallkovin tashmë kohë më të gjatë nuk ka komunikuar dhe nuk i dimë detajet e arrestimit të tij. Por, nga ajo që opinioni mund ta vlerësoj, çdo proces i montuar politik nuk guxon të arsyetohet nga opinioni dhe nuk duhet të shfrytëzohen institucionet për qëllime politike”- u përgjigj Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Në ndërkohë, reagojnë nga partia në pushtet.

VMRO DPMNE, njëjtë si dikur, edhe tani vazhdon në mënyrë brutale të përfshihet apo të tentojë të përfshihet në gjyqësor. Qëndrimi ynë është konzistent, i qartë dhe i saktë se politika nuk ka të drejtë të përfshihet në vendimet e organeve gjyqësore”- pohoi Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.

Pasi ish kryeministri Nikolla Gruevski u arratis, Mijallkov është personi i tretë i tij i afërt që përfundoi prapa grilave, pas Janakievskit dhe Bozhinovskit. Javën e ardhshme pritet që Apeli të caktojë seancë edhe për arrestimin e Mijallkovit, pasi edhe ai është ankuar në paraburgimin 30 ditor.