Dhuna ndaj gazetarëve dhe punëtorëve në media ende nuk po ndëshkohet në mënyrë efikase, me faj të policisë dhe prokurorisë.

Kjo, sipas kryetarit të ShGM-së, Naser Selmanit, ndodh pasi këto të fundit janë të prira nga burokracia si dhe hetimet dhe proceset e ngadalësuara gjyqësore.

“Vullneti politik i qeverisë dhe ministrit Spasovski për t’i dhënë fund sulmeve ndaj gazetarëve nuk e ndjek burokracia e policisë dhe prokurorisë. Ata akoma bëjnë hetime jocilësore dhe joefikase. Nga raporti i policisë dhe prokurorisë mund të kuptohet se nga 59 sulme ndaj gazetarëve, vetëm dy sulmues janë dënuar me dënim efikas”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

Spasovski: Do të angazhohemi për më shumë siguri

Por, njeriu i parë i policisë, Oliver Spasovski, pohon se do të angazhohet në krijimin e kushteve të sigurta për ushtrimin e profesionit të gazetarisë.

“Ne jemi të obliguar që në vazhdimësi të ndërtojmë bashkëpunim, lidhje dhe komunikim, e cila aq sa do të prodhojë prezantim të saktë dhe cilësor, aq më shumë do të mundësojë kushte të sigurta dhe pa pengesa të ushtrohet profesioni i gazetarit”,- tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.

Koja: Mosndëshkimi shpie në vetëcenzurë

Në bashkëpunim me OSBE-në është promovuar doracak për sigurinë e gazetarëve në ndjekjen e ngjarjeve me rrezik të lartë.

“Dhuna, kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe punëtorëve në media janë kërcënim edhe ndaj demokracisë. Mosndëshkimi është helm dhe i papranueshëm. Kjo shpie drejt vetëcenzurës. OSBE është e përkushtuar dhe këmbëngul që gazetarët të punojnë lirshëm dhe pa frikë nga kërcënimet”,- u shpreh ambasadori i OSBE-së, Klemens Koja.

Në doracak janë ngërthyer rekomandime ndërkombëtare dhe metoda juridike për uljen e dhunës ndaj punëtorëve në media. /Tvm2