Shkencëtarët britanezë e kanë demonstruar praktikisht mënyrën e numërimit të balenave nga Hapësira.

Shkencëtarët e Institutit Britanik të Antarktikut e kanë përdorur satelitin me rezolucionin më të lartë për të marrë pamje të balenave.

Ndonëse të bëra nga një lartësi prej 620 kilometra nga Toka, këto imazhe janë mjaftueshëm të qarta sa për t’i dalluar format e specieve të ndryshme.

Një arritje e tillë planifikohet të përdoret në ujërat në veri të Korsikës, të njohura si deti Ligur. Autoritet rajonale dëshirojnë t’i kuptojnë më mirë lëvizjet e gjallesave të detit në raport me lëvizjet e anijeve, në mënyrë që t’i shmangin ndeshjet e anijeve me to.

“Satelitet janë zhvilluar shumë në përmirësimin e rezolucionit hapësinor dhe për herë të parë ne kemi pasur mundësi t’i dallojmë edhe pjesët e trupit të balenave në këto pamje”, – deklaroi Hannah Cubaynes, e cila punon në institut dhe në Universitetin e Cambridge.

Ekipi i shkencëtarëve tashmë po teston algoritma të ndryshëm të cilët mund të marrin imazhe satelitore në mënyrë automatike.

Vrojtimi dhe studimi i gjallesave nga orbita ka ndodhur edhe herëve të tjera, siç është vrojtimi i pinguinëve dhe albatrosëve. Sidoqoftë, në këto raste nuk ka qenë i mundur përcaktimi i një numri të saktë të tyre, por thjesht është analizuar madhësia e përgjithshme e një kolonie të tyre.

Kjo arritje pritet t’iu shërbejë biologëve dhe ekologëve, të cilët do të mund t’i përcjellin më lehtë grupet e balenave të gjalla si dhe ta vlerësojnë numrin e balenave të ngordhura, të cilat uji i ka sjell pranë brigjeve në mbarë botën.