Ish imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, duke folur pas shpalljes i pafajshëm nga akuzat që e rëndonin për nxitje të urrejtjes dhe terrorizmit, ka përmendur  edhe një xhami ilegale që ka operuar vite më parë pranë Termokosit në kryeqytet.

Krasniqi ka thënë se nuk ka qenë në dijeni deri vonë se në atë objekt është falur namaz, por që ka thënë se kur e ka kuptuar e ka këshilluar ‘imamin’ e saj  që të drejtohej në këshillin e BIK, njofton Klan Kosova.

“T’ju them një sekret, për xhaminë në Dardani, i kam thënë imamit shko dhe bëje një kërkesë deri në këshill, pasi që unë nuk e kisha ditur që funksionin ajo xhami aty. E kam këshilluar që të bëjë një kërkesë se nuk është në rregull që xhamia të veprojë jolegjitime, as fetarisht”, ka thënë Krasniqi.

“Nuk ma kap truri se mund të ndodhin probleme në xhami. Xhamia i shëron problemet, aty nuk ka bela, së paku do të duhej të jetë ashtu. Nuk bën në një xhami të falet xhumaja dhe të mos jetë në dijeni prijësi i myslimanëve”.

Ka qenë Bashkësia Islame e Kosovës që në vitin 2014 ka mbyllur xhaminë te Termokosi me arsyetimin se veprimtaria e saj ka qenë ilegale.