Në Dibër sot u varros kryetari Ruzhdi Lata, i cili pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë dje në moshën 65 vjeçare.

Anëtarë të familjes, një numër i madh i familjarëve dhe miqve të tij dhe përfaqësues të institucioneve, kryetarë të komunave, myfti dhe imamë nga Maqedonia, Shqipëria dhe nga Kosova, morën pjesë në seancën komemorative të mbajtur në sallën e madhe në Qendrën e Kulturës.

“Ishte njeri me zemër të madhe, i cili pas vete la vepra më të mëdha, njeri i cili dha kontribut të madh në ndërtimin e Dibrës në një qytet evropian, në kultivimin e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare. Edhe pse fizikisht nuk do të jetë mes nesh, fryma dhe vepra e tij gjithmonë do të jenë me ne”, tha mes tjerash kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, duke iu shprehur ngushëllim të thellë familjes në emër të tij dhe të gjithë deputetëve.

Në seancën komemorative ishin edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kryetari i Çairit, Visar Ganiu në emër të BNJVL-së, kryetari i Këshillit të Komunës Bashkim Maksuti, si dhe njerëzit e parë të Bashkësive Fetare Islame të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, Sulejman Rexhepi, Skender Bruçaj dhe Naim Tërnava.

Paraprakisht Këshilli i Komunës së Dibrës mbajti seancë të jashtëzakonshme ku u mor vendimi për shpallje tre ditë zie (25,26 dhe 27 nëntor).