Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta po ndjek me shqetësim dhe vëmendje zhvillimet e protestës së zhvilluar sot para Kuvendit të Shqipërisë nga qytetarët e prekur nga projekti i ndërtimit të Unazës së Re në Tiranë.

“Presidenti Meta shpreh keqardhjen më të thellë për aktet e dhunshme të shfaqur gjatë kësaj proteste dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të shmangin çdo përplasje dhe të vendosin sa më parë një dialog institucional në mënyrë që ankesat e banorëve të shqyrtohen duke i dhënë një zgjidhje kësaj situate”, thuhet në reagim.

Pasi u njoh me raportimet, se disa efektivë të Policisë së Shtetit dhe protestues paqësorë janë lënduar sot para Kuvendit të Shqipërisë, presidenti i Republikës shpreh keqardhjen më të thellë dhe u uron shërim sa më të shpejtë.

Meta dënon aktet e dhunshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve të distancohen menjëherë nga dhuna dhe të bëjnë maksimumin për të shmangur konfliktin dhe gjuhën së forcës së përdorur në këtë çështje.

Gjithashtu, presidenti i Republikës i bën thirrje politikës të tregohet e kujdesshme dhe të japë mesazhe bashkëpunimi e dialogu, ndërkohë që nxitësit e dhunës duhet të izolohen.

Gjatë protestës që përshkallëzoi në akte dhune ndaj forcave të rendit, përballë godinës së sallave plenare të Kuvendit të Shqipërisë janë plagosur 12 efektivë të Policisë së Shtetit.

“Efektivët janë lënduar me mjete të forta dhe piroteknike, hedhur nga tubuesit mbi punonjësit e Policisë, të cilat dhe janë dërguar në spital për ndihmë të specializuar mjekësore. Një punonjëse policie ka dëmtime më të rënda në krah”, thuhet në një komunikatë të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit u bën thirrje protestuesve dhe përfaqësuesve politikë për distancim nga dhuna dhe nga goditjet ndaj punonjësve të rendit.