Abdulla Mehmeti

 

Përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulën e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë Veriore nuk është ndonjë sukses dhe arritje politike, por pranim i nënshtrimit të dyfishtë të popullit shqiptar në Maqedoni, sepse:

  1. Përmes këtij „suksesi“ dëshiron të përfitojë vetëm një parti politike, e cila është dëshmuar për 18 vjet me radhë në skenën politike si parti vasale e pushtetit, dhe me asgjë nuk përfiton populli shqiptar në këto rrethana;
  2. Kjo Marrëveshje është arritur „për zgjidhjen e situatës politike e të sigurisë në Maqedoni“, për ndërprerjen e konfliktit të armatosur në vitin 2001, jo edhe për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve të mohuara nga pushteti në Maqedoni;
  3. Përmes kësaj Marrëveshje tentohet të ruhet edhe më tej karakteri unitar (njënacional) i shtetit;
  4. Me këtë Marrëveshje populli shqiptar në Maqedoni trajtohet si pakicë kombëtare, jo si popull shtetformues, siç ka qenë së paku me Kushtetutën e vitit 1974;
  5. Përmes kësaj Marrëveshje gjuha shqipe trajtohet si „gjuhë të cilën e flasin 20% e qytetarëve të vendit“, jo si gjuhë shqipe, zyrtare dhe e barabartë me gjuhën maqedonase;
  6. Kjo Marrëveshje nuk është realizuar në afatin e paraparë (2004) dhe në masën e duhur, për 18 vjet me radhë, prandaj, si e tillë as nuk përbën (përveç vlerës së caktuar historike për ndërprerjen e një konfikti të armatosur) ndonjë dokument me vlerë të rëndësishme për të sotmen e popullit shqiptar dhe të ardhmen e tij evropiane;
  7. Marrëveshja e Ohrit e ka humbur kuptimin dhe rëndësinë e saj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Maqedonisë me Bullgarinë dhe të Marrëveshjes me Greqinë, për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit;
  8. Marrëveshja e Ohrit është shterur e konsumuar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, ndërsa përmes saj nuk është zgjidhur statusi juridik-kushtetues i popullit shqiptar, as statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni.

Për analiza më të hollësishme në lidhje me këtë çështje duhet të deklarohen edhe ekspertët e fushave shkencore përkatëse, vendës dhe ndërkombëtarë, jo ushtarët partiakë, përfitues të politikës ditore!