Nëse Barcelona dëshiron ta shesë sulmuesin francez të skuadrës, Ousmane Dembele, para se atij t’i përfundojë kontrata me klubin, ata do të detyrohet t’ia paguajnë plot 40 milionë euro ish-klubit të francezit, Dortmund.

Verën e vitit 2017, kur Neymari u shit në Paris Saint-Germain, klubi gjerman e shfrytëzoi situatën e keqe në të cilën ndodhej Barcelona, dhe arritën t’ia shesin Dembelen katalonasve për 105 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, këto 106 milionë euro nuk janë që Dortmundi mund t’i fitojë pas shitjes së Dembeles. Gjermanët kërkuan që në marrëveshje të përfshihet edhe një pikë, ku theksohet se nëse francezi shitet para se t’i përfundojë kontrata, katalonasit duhet t’ia paguajnë atyre edhe 40 milionë euro shtesë.

Burimet afër klubit nuk e kanë mohuar këtë pretendim, kur u pyetën nga Marca, por në të njëjtën kohë e shprehën dëshirën për ta mbajtur Dembelen më gjatë në Camp Nou, për ta parë potencialin e tij.

Ish-lojtari i Dortmundit ka marrë shumë kritika për sjelljen dhe profesionalizmin e tij gjatë këtij sezoni, pasi që është raportuar se ai vonohet në stërvitje, por edhe për ndeshje. Për këtë arsye, ai ka marrë kritika edhe nga bashkëlojtarët e tij, si Luis Suarez dhe Gerard Pique, si dhe nga legjenda e klubit, Carles Puyol.