Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski paralajmëroi riorganizim të tërësishëm të administratës publike dhe shtetërore. Sipas tij, disa Institucione do ta ruajnë statusin dhe funksionin aktual, disa të tjera do të bashkohen në 1 të vetëm, ndërsa ka mundësi që ndonjë Institucion të shfuqizohet, kompetencat e të cilit do të barten në ndonjë institucion tjetër.

Qëllimi është institucionet të grupohen në bazë të sferës së veprimit. Ministritë të jenë kreatorë të politikave, agjencitë të jenë kompetente për zbatimin e atyre politikave, ndërsa funksioni i mbikqyrjes t’iu lihet inspektorateve. Të thjeshtohet puna! Kjo do të thotë revizion të Ligjit për organizimin e organeve dhe administratës shtetërore”-u shpreh Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Ky reformim që sipas Mançevskit, bëhet me qëllim të zgjidhjes së kaosit në sistemin e administratës, rritjen e efikasitetit dhe zvogëlimin e shpenzimeve. Mançevski nuk përjashton mundësinë që me shfuqizimin e ndonjë Institucioni të paraqitet problemi me sistematizimin e të punësuarve. I pyetur për administratorët të cilët prej vitesh marrin paga dhe nuk janë të sistemuar, Mançevski tha se ato i takojnë Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshes së Ohrit.

Numrat konkrete i kanë në Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë. Faza e parë po përfundon. Në periudhën e ardhshme, së shpejti, planifikojmë të fillojmë me fazën e dytë dhe përfundimisht ta përmbyllim këtë proces. Ky problem tashmë po zgjidhet dhe nuk do të kemi më këso njerëz në sistem”- theksoi Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

1600 administratorë për më shumë se 15 vjet tashmë marrin rroga duke qëndruar në shtëpi, për shkak të ngecjes së procesit të sistematizimit të tyre. Deri tani rreth 200 administratorë kanë refuzuar vendin e ofruar të punës, por me punë nuk kanë filluar akoma as 700 administratorët të cilët kanë pranuar ofertën./alsat