Opozita në Parlamentin Kombëtar të Hungarisë e diskutoi çështjen e politikës së azilit të pushtetit për shkak të aferës me arratinë e ish kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski i cili kërkohet me urdhër arrest ndërkombëtar për shkak të vuajtjes së dënimit me burg prej dy vitesh.

“Qeveria hungareze u tërhoq nga politika e azilit, duke pranuar një refugjat”, akuzon Adam Mirkoshki nga lëvizja opozitare për Hungari më të mirë – Jobik, e cila është fuqia e dytë politike në Parlament, njofton “Index.hu”.

Ai njëherësh edhe pyeti se çfarë roli kanë pasur  autoritetet hungareze në lidhje me kalimin e kufijve, si dhe cila ministri, kush dhe sipas urdhrit të kujt  është vepruar në rastin me Gruevskin.

Sekretari shtetëror në zyrën e kryeministrit Viktor Orban, Ballazh Orban, ndërkaq, u përgjigj se ish-kryeministri i Maqedonisë Gruevski ka dorëzuar kërkesë për azil, pa cituar  se në cilin vend e ka dorëzuar  kërkesën dhe se autoritetet hungareze nuk ishin të involvuar  në arratinë e tij nga Maqedonia, ndërsa kërkesa është pranuar për shqyrtim nga “arsyet e sigurisë”.

Ai ka kërkuar nga opozita të ndalet me “fushatën e dezinformatave” në lidhje me rastin,  veçanërisht me çështjet pse Gruevski nuk është në zonën e tranzitit.

“Rregullat e procedurave kufitare  nuk mund të zbatohen për personat me trajtim të veçantë”, thotë Ballazh Orban.

Me atë, sipas mediave hungareze konfirmohet trajtimi special të cilin e ka Gruevski nga autoritetet, të cilët thonë se  pikërisht ajo i është mundësuar  sepse ka qenë kryeministër 10 vite.

Duke i komentuar kushtet në ligjin për azil, “Indeks”-i hungarez, shkruan se në to nuk ka pikë sipas të cilës  ish kryeministri mund të marrë trajtim të veçantë,  siç është parashikuar  për shembull për fëmijët të cilët duhet të bashkohen me familjet e tyre ose për gratë shtatzëna.

“Rregullat në rastin e Gruevskit mund të zbatohen vetëm përderisa ai konsiderohet si “personalitet i rrezikuar” me “nevoja të veçanta”, thotë “Indeks”.

Deputeti Arato Gergeli nga Koalicioni demokratik, mes tjerash, pyeti se a është e vërtetë se Gruevski është akomoduar  në ndonjërën nga pronat e kryeministrit Orban. Në këtë Shaba Domotor nga zyra e kryeministrit Orban  u përgjigj se “Gruevski legalisht qëndron në Hungari”.

Nga partia LMP, ndërkaq, kanë inicuar formimin e komisionit parlamentar që të hetohet  afera me Gruevskin.

Marta Demetër, bashkëkryesuese e partisë, në konferencën e sotme për shtyp ka sqaruar se  kërkesa është arsyetuar për shkak të raportit se bëhet fjalë për  raste me rreziqe  serioze diplomatike dhe të sigurisë, sipas të cilave Hungaria dukshëm ndikon mbi reputacionin e vendit. Ajo konfirmoi se nga partia dorëzuan edhe padi për emigrim ilegal dhe kërkesë deri te MPJ-ja hungareze që të publikohen të gjitha informatat  në lidhje me arratinë e Gruevskit nga Maqedonia në Hungari.