Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot gjatë takimit me gazetarë informoi se prej sot është e hapur thirrja e dytë publike për kompenzimin e një pjese të harxhimeve për blerjen e stufave me peletë, me të cilat familjet do të zëvendësojnë ato të vjetrat me qymyr, dru, naftë ose mazut.

“Me ribalancin e buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë kemi kërkuar mjete shtesë në vlerë prej 7.000.000 denarë për të kompensuar një pjesë të harxhimeve për blerjen e stufave me peletë të cilat do të zëvendësojnë furrat e vjetra me thëngjill, dru, naftë ose mazut. Mendoj se në këtë mënyrë do të kontribuojmë në ngritjen e vetëdijes publike për kursimin e energjisë si burim mjaft i shtrenjtë dhe do të ndikojmë në mbrojtjen e mjedisit, sepse  gjatë viteve të fundit Ndotja e ajrit ka krijuar mjaft vështirësi. Kjo masë është edhe në përputhje me Planin Qeveritar “Për ajër më të pastër”, u shpreh Bekteshi.

Ministri i ekonomisë sqaroi se me Ndryshimin e programit për promovimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe nxitjen e efikasitetit energjetik në amvisëri për vitin 2018, i cili u miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë dhe që është publikuar sot , të drejtë aplikimi kanë blerësit të cilët kanë blerë stufa me peletë në periudhën nga 1 shtatori e deri më 12 dhjetor 2018 dhe që do të paraqesin kërkesë për shfrytëzimin e të drejtës për kompensim.

“Në Thirrjen Publike janë precizuar kushtet dhe dokumentacioni i nevojshëm për aplikim dhe megjithëse shpallja është e hapur deri më12 dhjetor të këtij viti, më duhet të potencoj se edhe këtë herë kompensimi do vlejë sipas parimit “I pari vjen I pari shërbehesh “. Me këtë rast dëshiroj t’u bëj thirrje qytetarëve që vazhdimisht ti ndjekin njoftimet e Ministrisë së Ekonomisë që të mos vij në situatë ku ata do të ekspozohen në shpenzime të paplanifikuara sepse pas shterjes së mjeteve të parapara për këtë masë, nuk do të jemi në gjendje tua mbulojmë harxhimet” u shpreh ministri Bekteshi.

Siç e dini edhe ngashpallja e parë, Ministria e Ekonomisë atyre që plotësojnë kushtet për këtë masë do tju sigurojë rikthimin e mjeteve deri në 50%, por jo më shumë se 500 euro në kundër vlerë denari, deri në harxhimin e plotë të mjeteve të ndara nga Buxheti i RM-së. Kushtet janë që blerësit të mos kenë shfrytëzuar mjete nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë për blerjen e stufave me peletë  në shtëpitë e tyre. Sipas parashikimeve tona, nëse të gjithë aplikuesit që plotësojnë kushtet marrin shumën maksimale të subvencionit, atëherë numri i familjeve që do të shfrytëzojnë këtë beneficion do të shkojë në 220-230 .

“Ky numër prej 220 familjeve do ti bashkangjiten grupit prej 453 familjeve që kanë aplikuar që në thirrjen e parë për subvencionimin e shporeteve me peletë pagesa e të cilave tash më është realizuar në vlerë prej 14.000.000 denarëve . Pra, Ministria e Ekonomisë me këto 7milionë shtesë, për këtë masë, vetëm këtë vit ka siguruar 21,000,000 denarë. Më lejoni t’ju kujtoj se këtë vit ishin aktive edhe dy masa tjera,  kështu që për zëvendësimin e dritareve të vjetra me dritare të reja PVC ose alumini kemi ndarë 30 milionë denarë për 1005 familje, ndërsa me 6 milionë denarë janë subvencionuar 517 familje për blerjen ose instalimin e sistemeve të kolektorëve diellorë” tha Bekteshi.

Bekteshi vuri në dukje se fondet për promovimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe nxitjen e efikasitetit energjetik janë parashikuar edhe në buxhetin e ri për vitin 2019 dhe programi i ri i masave duhet të startojë në fillim të vitit të ardhshëm.