Ministri iranian për Naftën tha të enjten se parashikon një periudhë të dhimbshme përpara për konsumatorët ndërkombëtarë të naftës, me hyrjen në fuqi të sanksioneve amerikane. Ai tha se përjashtimi që Uashingtoni u bëri tetë vendeve kryesore që importojnë naftë nga Irani prej sanksioneve, nuk është i mjaftueshëm për kërkesat e tregut.

Televizioni shtetëror iranian citoi ministrin Bijan Zanganeh të thoshte se ai i sheh muajt e ardhshëm si “muaj të dhimbshëm për konsumatorët e naftës”.

Zoti Zanganeh pretendon se administrata Trump mund t’i ketë ulur çmimet e karburantit në mënyrë “sipërfaqësore” përpara zgjedhjeve për Kongresin që u zhvilluan këtë javë, por sipas tij në në të ardhmen do të ketë rritje të çmimeve.

Të hënën Shtetet e Bashkuara rivendosën sanksione ndaj naftës dhe sistemit iranian të bankave, të cilat ishin hequr nën marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Por Uashingtoni përjashtoi tetë vende importues kryesorë nga mundësia për t’u ndëshkuar prej sanksioneve, duke i lënë të vazhdojnë blerjen e produkteve iraniane të naftës për gjashtë muaj të tjerë.

Gjithashtu të enjten, përfaqësuesi i Iranit në OPEC, Hossein Kazempour Ardebili, tha se Rusia dhe Arabia Saudite po ndihmojnë Presidentin Trump duke rritur prodhimin e tyre për të mbajtur çmimin e naftës të ulur. Zoti Trump në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar prodhuesve të naftës të prodhojnë më shumë, në funksion të uljes së çmimit.

Vala e fundit e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndikon rëndë tek industria e naftës të Iranit, burimi kryesor i të ardhurave nga jashtë të vendit. Teherani shqetësohet se vendet e OPEC-ut dhe ato jashtë tij si Rusia, do të rrisin prodhimin e tyre si përgjigje për të mbushur hendekun./voa

Loading...